Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare të Kosovës, të premten në mbrëmje, në fshatin Joshanicë të Leposaviqit ka konfiskuar më shumë se 4 kilogramë marihuanë. Sipas njoftimit të policisë, droga po bartej nga dy vetura, njëra që drejtohej nga një qytetar serb i Kosovës dhe tjetra nga një serb i Serbisë.
“Në veturën me targa kosovare, që drejtohej nga M.M., viti i lindjes 2004, mashkull kosovar, janë gjetur dhe konfiskuar katër paketime që dyshohet të jenë me lëndë narkotike-marihuanë. Sasia e substancës së konfiskuar 4240 gramë. Drejtuesi i veturës tjetër N.J., viti i lindjes 2002, mashkull shtetasi i Serbisë, dyshohet se ka qenë në përcjellje dhe bashkëpunim me drejtuesin e veturës që kryente transportin e lëndëve narkotike”, njofton Policia e Kosovës.
Për këtë rasti, sipas policisë, është njoftuar edhe Njësia e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Mitrovicë Veri, të cilët kanë dalë në vend-ngjarje. “Për rastin është njoftuar prokurori dhe me akt-vendim nga ai, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë”, njofton Policia.