Në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren u mbajt një aktivitet i dedikuar çështjes së personave të pagjetur, ku përmes shfaqjes së dokumentarit “Plani për zhdukjen e gjurmëve” dhe një debati publik u diskutua për sfidat e zbardhjes së fatit të të zhdukurve dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës kolektive.
Sipas njoftimit të Universitetit, aktiviteti mblodhi studentë, staf akademik, përfaqësues institucionesh dhe aktivistë të shoqërisë civile, të cilët trajtuan një nga plagët ende të hapura të shoqërisë kosovare. Në këtë kontekst u përmend edhe figura e Ukshin Hotit, intelektualit dhe veprimtarit të njohur, fati i të cilit mbetet ende i pazbardhur që nga zhdukja e tij në vitin 1999.
Ngjarja u hap nga Jeta Xharra, e cila theksoi rëndësinë e trajtimit publik dhe institucional të çështjes së personave të pagjetur si pjesë e përpjekjeve për drejtësi dhe kujtesë historike. Të pranishmëve iu drejtua gjithashtu me një fjalë përshëndetëse rektori i universitetit, Mentor Alishani, si dhe përfaqësuesit e projektit.





