Home LAJME Në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit u prezantuan plani 100-ditor dhe projektet strategjike për vitin 2025/26

Në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit u prezantuan plani 100-ditor dhe projektet strategjike për vitin 2025/26

0
Në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit u prezantuan plani 100-ditor dhe projektet strategjike për vitin 2025/26

Të hënën, në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit, u mbajt takimi i Këshillit Profesional, i udhëhequr nga kryesuesja Dr. Fatmire Braha, me praninë e drejtorit ekzekutiv, Osman Hajdari, dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues: Dr. Shefki Xharra, UD drejtor mjekësor; Burbuqe Gashi, UD drejtoresha e infermierisë; dhe Lumrim Murtezaj, UD drejtor i Administratës dhe Shërbimeve të Përbashkëta.

Para anëtarëve të Këshillit Drejtues, shefave, kryeinfermierëve dhe udhëheqësve të njësive, drejtori ekzekutiv prezantoi planin 100-ditor dhe planifikimin për vitin 2026. Ai, fillimisht, falënderoi menaxhmentin, udhëheqësit dhe gjithë stafin për angazhimin dhe kontributin e tyre në shërbim të pacientëve dhe zhvillimin e institucionit, duke theksuar nevojën për vazhdimësi në punët e nisura dhe përgjegjësi në kryerjen e detyrave.

“Ky plan i punës paraqet aktivitetet zhvillimore dhe infrastrukturore të realizuara dhe në proces realizimi në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit gjatë periudhës tetor–dhjetor 2025, në përputhje me prioritetet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe udhëzimet e SHSKUK-së. Plani përfshin projektet e rinovuara, iniciativat digjitale dhe përmirësimet në efikasitet, higjienë dhe kushte pune. Ky plan 100-ditor (Tetor–Dhjetor 2025) përfaqëson angazhimin e Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit për të përmirësuar vazhdimisht cilësinë e shërbimeve, infrastrukturën dhe mirëqenien e pacientëve dhe stafit. Zbatimi i suksesshëm i këtij plani do të krijojë bazën për fazat e ardhshme zhvillimore në vitin 2026”, tha drejtori Hajdari.

Tutje, në njoftimin e Spitalit janë listuar projektet e filluara:

  • Renovimi i Repartit të Pediatrisë dhe Internos: Punime infrastrukturore dhe zhvendosje e përkohshme e aktiviteteve për rinovimin e plotë të ambienteve.
  • Renovimi i Njësisë së Kujdesit Intensiv Qëndror dhe Njësisë Koronare: Përmirësim i kushteve teknike dhe ventilimit, instalimi i sistemeve të reja elektrike.
  • Renovimi i sallave të Bllokut Kirurgjik (kirurgji e përgjithshme, obstetrike): Rikonstruksion i ambienteve operative, ndriçimit dhe pajisjeve kirurgjikale.
  • Renovimi i Repartit të Patologjisë: Përmirësim i kushteve laboratorike dhe sigurisë biosanitare.

Ndërkaq, këto janë projektet e planifikuara deri në fund të vitit 2025:

  • Ndriçimi i jashtëm i hapësirave spitalore me LED për rritjen e sigurisë.
  • Riparim dhe standardizim i nyjeve sanitare në të gjitha repartet.
  • Riorganizim i parkingut për staf, pacientë dhe urgjencë.
  • Vendosja e dyerve të garazheve të autoambulancave për siguri dhe mirëmbajtje.

Sa i përket pjesës së digjitalizimit, bëhet e ditur se planifikohet:

  • Digjitalizimi i imazherisë, termineve dhe dokumentacionit.
  • Monitorimi i disiplinës dhe orarit të punës.
  • Digjitalizimi i të dhënave laboratorike.

Për shërbimet klinike dhe pajisjet mjekësore:

  • Funksionalizimi i sallës operative në Bllokun Kirurgjik.
  • Furnizimi me shtretër të rinj për Repartin e Dializës dhe ridizajnimi i hyrjes së tij.
  • Furnizim me RTG mobil në Pulmologji, MRI Coilet (3 modele), pajisje për Gjinekologji dhe pajisje të tjera.

Në përfundim, janë listuar edhe projektet strategjike për vitin 2026:

  • Renovimi dhe riorganizimi i reparteve Pediatri dhe Interno.
  • Ndërtimi, renovimi dhe adaptimi i Emergjencës, Radiologjisë dhe aneksit të Administratës.
  • Riorganizimi i hapësirave të jashtme, parkingjeve, rrugëve, trotuareve dhe hapësirave të gjelbërta.
  • Instalimi i sistemeve të reja të klimatizimit dhe ventilimit në të gjitha objektet e institucionit.
  • Depoja e Barnatores.
  • Renovimi i Bllokut Operativ, Fizioterapisë, Repartit të Infektivës, Neurologjisë, Psikiatrisë dhe Ambulancave të Pulmologjisë DAT.
  • Inventarizimi i spitalit me inventar medicinal dhe administrativ.
  • Projekte të veçanta për Spitalin “Nëna dhe Fëmijë”.

Siç bëhet e ditur në njoftim, në vazhdim Dr. Shefki Xharra – UD drejtor mjekësor, prezantoi vizionin strategjik të institucionit, ndërsa Burbuqe Gashi fokusoi në forcimin e kujdesit shëndetësor.

Gjatë diskutimeve, shefat dhe kryeinfermierët e repartëve (Dr. Sami Reshitaj – MIQ, Dr. Agim Sefa – Blloku Operativ, Dr. Shemsedin DShabollari – Interni, Dr. Syla Osmanaj – Anestezion, Dr. Shefazim Hulaj – ORL, Dr. Imet Poniku – Psikiatri, Dr. Hekuran Veçgishti – Emergjenca dhe Rrahim Semani – ORL) prezantuan problemet ekzistuese dhe propozimet për zgjidhjen e tyre, thuhet në njoftimin e Spitalit të Prizrenit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here