Home LAJME Në shtesat për fëmijë kërkohet përfshirja edhe e fëmijëve të lindur para vitit 2015

Në shtesat për fëmijë kërkohet përfshirja edhe e fëmijëve të lindur para vitit 2015

0
Në shtesat për fëmijë kërkohet përfshirja edhe e fëmijëve të lindur para vitit 2015

Një pjesë e qytetarëve, e opozitës, si dhe e shoqërisë civile kanë shtruar kërkesa që Ministria e Financave ta përshpejtojë zbatimin e planit për shtesat e fëmijëve.

Deri më tani, shtesat i kanë marrë familjet e fëmijëve të lindur pas vitit 2015.

Ndërkaq, sipas planit të ekzekutivit, zbatimi i tërësishëm i kësaj politike do të realizohet në vitin 2023, kur të gjithë fëmijët deri në moshën 16-vjeçare do të përfshihen në skemë.

Por, Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka ngritur dyshimin se Qeveria është duke manipuluar me këtë politikë. Ai ka kërkuar që në skemë të përfshihen sa më parë të gjithë fëmijët, ndërsa si arsyetim ka cekur gjendjen sociale.

“Loja me skemat sociale dhe mosveprimi i shpejtë në raport me nevojën që është krijuar në Kosovë, në veçanti me një situatë të rëndë me varfërinë në vend, tregon që Qeveria vetëm flet, jep data në vitin 2023 dhe nuk vepron. Kërkesa e AAK-së është shumë e thjeshtë; gjendja sociale dhe varfëria në Kosovë janë duke u bërë e skajshme”, ka thënë Tahiri.

Edhe në Rrjetin e Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve e mbështesin idenë që, shkaku i inflacionit, sa më parë të zbatohet në plotësi plani i shtesave.

Bukureza Surdulli, monitoruese dhe hulumtuese në KOMF, ka thënë se Qeverisë i është kërkuar gjithashtu që në planin për shtesa të përfshihen edhe fëmijët deri në moshën 18-vjeçare.

“KOMF-i patjetër që i mbështet kërkesat e prindërve dhe familjeve që fëmijët të mbështeten e të fillojnë shtesat të aplikohen menjëherë e të mos pritet deri në vitin 2023 për shkak të rritjes së çmimeve”, ka thënë Surdulli, “KOMF-i ka propozuar që skemat për fëmijë t’i përfshijnë fëmijët deri në moshën 18-vjeçare. E dimë që deri më tash, këto shtesa përfshin fëmijët deri në moshën 16-vjeçare”.

Të qëndrimit për nisjen sa më të shpejtë të përfitimeve edhe për fëmijët e lindur para vitit 2015, janë shprehur edhe qytetarët.

“Tu e pasur parasysh krizën, do të ishte mirë që mos të bëhen dallime dhe diskriminime ndaj kategorisë së fëmijëve të cilët kanë lindur një vit parë ose një vit më herët, sepse nëse nuk përfshihet viti 2015, mund të ndodhë që një fëmijë që është lindur në dhjetor ose më 31 dhjetor i bie që mos të marrë (shtesa)”, ka thënë Genc Broshi, qytetar.

“Shtesat për fëmijët, sidomos në Kosovë duke e marrë parasysh nivelin e standardit të rrogave të vogla – ( fol pak për natalitet)– janë shumë të nevojshme dhe të domosdoshme”, ka thënë Islam Veliaj, qytetar.

Ministria e Financave nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me përfshirjen e fëmijëve të 2015-s në këtë politikë sociale.

Shtesat për fëmijët, ekzekutivi ka nisur që t’i zbatojë që nga shtatori i vitit të kaluar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here