Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka njoftuar se në muajin shtator do të hapet konkursi për rekrutimin e 300 ushtarëve të rinj të cilët do të fillojnë trajnimin bazik në nëntor.
Maqedonci në një postim në Facebook ka thënë se brenda këtij mandati kanë rekrutuar 1931 ushtarë dhe kadetë të rinj, ndërsa në proces rekrutimi janë dhe dyzet kadetë të tjerë.
“Sepse ushtria njëmend është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës, brenda këtij mandati deri më tani rekrutuam 1931 ushtarë dhe kadetë të rinj, ndërsa në proces rekrutimi janë dhe dyzet kadetë të tjerë. Por nuk do të ndalemi me kaq, në muajin shtator do të hapet konkursi për rekrutimin dhe të treqind ushtarëve të cilët do të fillojnë trajnimin bazik në nëntor”, ka shkruar ai.
Ai ka theksuar se premtuan ngritje të kapaciteteve mbrojtëse dhe në këtë drejtim krahas pothuajse dyfishimit të numrit të përgjithshëm të ushtarakëve investuan që ushtria e Kosovës të ketë në arsenalin ushtarak sistemet më moderne të armatimit.
“Përveçse përmbushëm, tejkaluam numrin e rekrutimeve dhe aktiviteteve zhvillimore të parapara në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit. Jemi përpara në implementimin e planit e me vizion më të qartë se kurrë për të ardhmen e ushtrisë së Kosovës si pjesë e aleancës së madhe të NATO-s, dhe garantues të sovranitetit territorial të Kosovës”, ka shkruar tutje Maqedonci./RTK/