Në shkollën e mesme të lartë profesionale “Ymer Prizreni” në Prizren kanë vijuar aktivitetet në kuadër të Javës së Ndërmarrësisë të udhëhequra nga nxënësit e drejtimeve të ekonomisë, firmave ushtrimore, juridikë – hoteleri, teknologji ushqimore dhe agrobiznesit. Sipas njoftimit të kësaj shkolle, kjo është një mundësi për të promovuar kreativitetin, iniciativën dhe njohuritë praktike që nxënësit po zhvillojnë në këto fusha.
“Nxënësit kanë realizuar aktivitete të ndryshme që përfshijnë krijimin e projekteve, diskutime mbi zhvillimin e biznesit, dhe simulime të aktiviteteve ekonomike dhe juridike. Përveç kësaj, ata kanë mësuar dhe zbatuar aftësi që lidhen me hoteleri dhe turizëm, duke kontribuar në rritjen e njohurive të tyre praktike.”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit të shkollës, një nga momentet më të veçanta të javës ishte organizimi i orës letrare, e cila u zhvillua nga aktivi i Gjuhës Shqipe.
“Kjo javë ka pasur një impakt të madh në përgatitjen e nxënësve për karrierat e tyre të ardhshme dhe ka nxitur një shpirt bashkëpunimi dhe ndërmarrëse ndërmjet tyre.”, vazhdon tutje njoftimi.
Gjatë këtyre pesë ditëve, ata kanë pritur edhe nxënës dhe mësimdhënës nga shkolla profesionale e Korçës, si pjesë e projektit e RYCO – SuperShkolla. Në njoftim theksohet se ky projekt ka për qëllim të stimulojë bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave mes shkollave, duke krijuar mundësi për të mësuar nga njëri-tjetri dhe për të zhvilluar praktika mësimore .
“Nxënësit e shkollës sonë dhe të shkollës së Korçës po punojnë së bashku, duke ndarë idetë dhe përvojat e tyre, duke diskutuar aktivitete dhe projekte që kanë realizuar, dhe duke krijuar lidhje të reja miqësore dhe profesionale. Ky shkëmbim është një mundësi e shkëlqyer për të rritur cilësinë e mësimit dhe për të krijuar një mjedis më dinamik për të gjithë. Jemi të sigurt se ky projekt do të sjellë përfitime të mëdha për të dyja shkollat dhe do të kontribuoni në zhvillimin e mëtejshëm të arsimit. Përkushtim, angazhim, motivim dhe mbështetje nga DKA-ja, stafi menaxhues, mësimdhënës, prindër dhe nxënësit.”, thuhet në fund të njoftimit./TVPrizreni/