Një rast i rëndë vrasjeje ka ndodhur në fshatin Restelicë të Komunës së Dragashit, ku dyshohet se një person ka privuar nga jeta nënën e tij.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, rasti dyshohet se ka ndodhur brenda familjes. I dyshuari, me inicialet F.B., dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij, T.B., në shtëpinë e tyre, duke i shkaktuar vdekjen.
Menjëherë pas pranimit të informatës në orët e hershme të mëngjesit, në vendin e ngjarjes ka dalë prokurorja kujdestare, së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, ekipet e krim-teknikës si dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML.





