LAJME

Në QNR po vazhdon rinumërimi i votave

Në QNR po vazhdon rinumërimi i votave
TV Prizreni
TV Prizreni
10 Mars 2021, 07:08

Në Qendrën e Numërimit dhe Rinumërimit të Votave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve po vazhdon rinumërimi i votave.

Kanë mbetur edhe më pak se dhjetë vendvotime të pa numëruara, shkruan Reporteri.net.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka hedhur poshtë raportimet e mediave se ky proces ka përfunduar.

Ai tha se në QNR punohet deri në ora 24:00 dhe për nesër mund të mbeten edhe rreth 10 vendvotime.

“Rinumërimi nuk është përfunduar akoma. Më pak se 10 vendvotime mbesin të rinumërohen paraditen e nesërme”, tha ai për Reporteri.net.

Kujtojmë që dje Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i miratoi si të bazuara disa nga apelet e kandidatëve dhe subjekteve politike, që morën pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Një nga apelet kishte të bënte me dyshimet për manipulim të votave me kusht dhe me postë në favor të ish0minsteres së Diasporë, Meliza Haradinaj-Stublla, për të cilën mediat raportuan se është përfshirë në skandalin e blerjes së votave bashkë me bashkëshortin e saj Dardan Stublla.

Po ashtu, me miratim të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) miratoi dje kërkesën për rinumërimin e votave të shtatë vendvotimeve, të cilat janë numëruar nga persona të dyshuar për përfshirje në manipulim.

KQZ-ja ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 4 mars.

Certifikimi i tyre mund të marrë edhe disa ditë, pasi që PZAP-ja ka miratuar disa apele të kandidatëve dhe subjekteve politike, ndërkaq të njëjtit kanë edhe mundësinë tjetër të ankesës, atë në Gjykatën Supreme.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika