Spasa Andrijeviq, përfaqësues i komunitetit serb në Prizren, ka shprehur vërejtën për rënien e numrit të qytetarëve serbë që jetojnë në këtë komunë.
Pjesa më e madhe e përfaqësuesve të komuniteteve në Prizren kanë shprehur mendimin se institucionet e Kosovës janë adresa e vetme për zgjidhjen e problemeve aktuale të tyre. Por, megjithëkëtë, ata kanë theksuar edhe kërkesën për më shumë barazi dhe për respektim të të drejtave të tyre, si dhe për përmirësimin e gjendjes ekonomike me qëllim të shmangies dhe parandalimit të migrimit të të rinjve në vendet e Perëndimit.
Spasa Andrijeviq, përfaqësues i komunitetit serb në Prizren dhe në Novakë, në kuadër të Zyrës Komunale për Komunitete dhe Kthim, ka shprehur vërejtën për rënien e numrit të qytetarëve serbë që jetojnë në këtë komunë.
“Në Komunën e Prizrenit sot jetojnë 70 serbë, që është një numër i pamjaftueshëm. Janë edhe 50 deri në 100 persona që vijnë për dokumente ose punë të tjera, por që nuk qëndrojnë gjatë tërë kohës. Në vitin 2004 kanë qenë 316 serbë në Komunën e Prizrenit. Krahasimi i këtyre numrave na jep pasqyrën se a po shkojmë përpara apo prapa”, ka thënë Andrijeviq.
Ai ka theksuar, po ashtu, se për këtë numër të serbëve jetesa është e shoqëruar me paqartësi të shumta.
“Jetesa për serbët në Prizren është e paparashikueshme, përkundër shumetnisë dhe përparësive që ka ky qytet në krahasim me qytetet e tjera të Kosovës. Arsyeja për këtë është politika”, ka deklaruar ai.
Andrijeviq ka theksuar se kërkesat e qytetarëve serbë janë bazike dhe se ndërlidhen me krijimin e kushteve normale të jetesës.
“Problemet i paraqesim me një dozë të konsiderueshme të ngurrimit, në mënyrë që pala tjetër të mos mendojë se po kërkojmë diçka më shumë sesa që na takon. Ne kërkojmë vetëm kushte për jetesë normale, sepse nuk jemi turistë, por jemi në pronat tona”, është shprehur ai.
Si problemet kryesore të komunitetit, Andrijeviq i numëron mungesën e vendeve të punës, si dhe të kushteve për shkollimin e fëmijëve.
“Në cilën gjuhë duhet të shkollohen ata?”, ka shtruar ai pyetjen.