Një ditë para mbajtjes në Kosovë të zgjedhjeve të parakohshme për përbërjen e re të Kuvendit, procesi i votimit u zhvillua në diasporë në 18 shtete të botës. Nga 19 mijë e 187 qytetarë që u regjistruan për votim jashtë Kosovës, këtë të drejtë e shfrytëzuan 15,597 mërgimtarë apo 81.29 për qind e të regjistruarve.
Në këto të dhëna mbi pjesëmarrjen nuk është përfshirë numri i votuesve në dy ambasada dhe dy konsullata në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada, si dhe në ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, meqë në to votimi ka nisur më vonë shkaku i diferencës në kohë.





