Qendra Klinike Universitar e Kosovës ka bërë të ditur se në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike ka filluar me sukses aplikimi i procedurave të endoskopisë gastrointestinale, pas furnizimit me pajisjet e nevojshme si dhe trajnimit profesional të stafit mjekësor.
Sipas QKUK, pas sigurimit të kolonoskopit dhe gastroskopit, si dhe pas trajnimit të disa mjekëve në Klinikën e Gastroenterologjisë Adulte, përkatësisht në Njësinë e Endoskopisë, është mundësuar implementimi i këtyre procedurave në trajtimin e rasteve të ndryshme klinike tek pacientët pediatrikë.
“Rastet e para janë realizuar gjatë vitit 2024, me asistimin e kirurgëve abdominalë nga Njësia e Endoskopisë, ndërsa në fazat pasuese procedurat janë kryer me mbështetjen e gastroenterologëve nga Klinika e Gastroenterologjisë Adulte. Falë këtij bashkëpunimi ndër klinik, mjekët e Klinikës së Kirurgjisë Pediatrike tashmë kanë filluar realizimin e pavarur dhe me sukses të këtyre procedurave” – thuhet në njoftim.





