Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se niveli i përgjithshëm i çmimeve në maj të këtij viti, ishte mesatarisht 6,8 % më i lartë krahasuar me muajin maj të vitit 2025. Ky trend i çmimeve thuhet se është nxitur kryesisht nga rritja e kostove të transportit, energjisë, strehimit dhe produkteve ushqimore. Ndërkohë, në raport me prillin 2026, inflacioni mujor rezultoi -0,4%, duke reflektuar ulje të çmimeve në disa kategori kryesore, veçanërisht në transport dhe energji.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë në një mesatare prej 6,8 % në muajin maj 2026, krahasuar me muajin maj 2025. Inflacioni mujor ishte -0,4 % në muajin maj 2026.”-thuhet në komunikatë.
Në maj 2026 çmimet e konsumit ishin 6,8 % më larta se në majin 2025
Rritja prej 6,8 % u nxit kryesisht nga shtrenjtimi i transportit, strehimit, energjisë dhe ushqimeve
“Në muajin maj 2026, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur me 6,8 % krahasuar me muajin maj 2025. Rritja është ndikuar nga grupet kryesore të COICOP-it: transporti (14,1 %), strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (13,2 %), pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (5,6 %), restorante dhe shërbime akomodimi (5,3 %), ushqime dhe pije joalkoolike (5,1 %), shëndetësi (4,1 %), mobilje dhe pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore (3,6 %), kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (3,0 %), rekreacion, sport dhe kulturë (2,7 %), veshje dhe këpucë (2,4 %) dhe informacion dhe komunikim (0,2 %).”- thuhet në komunikatë.
Ndërkohë, rënie e çmimeve është regjistruar në grupin: shërbimet arsimore -0,6%..
Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK)
IHÇK për 0,4 % më i ulët në maj 2026 krahasuar me muajin paraprak
Rënia mujore prej 0,4 % u ndikua kryesisht nga ulja e çmimeve të transportit, strehimit dhe energjisë, si dhe e ushqimeve.
“Në muajin maj 2026, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) pësoi rënie në një mesatare prej -0,4 % krahasuar me muajin prill 2026. Rënia është ndikuar nga grupet kryesore të COICOP-it: transport (-2,0 %), strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (-0,7 %), ushqim dhe pije joalkoolike (-0,2 %) dhe kujdes personal, mbrojtje sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (-0,1 %).”-tregon ASK.
Ndërkohë, rritje e çmimeve është regjistruar në grupet: pije alkoolike, duhan dhe narkotikë 0,7 %, shëndetësi 0,7%, mobilje dhe pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore 0,6%, informacion dhe komunikim 0,3%, veshje dhe këpucë 0,3% dhe restorante dhe shërbime akomodimi 0,2%.
Këto të dhëna i bëri të ditura Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me publikimin e “Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) për muajin maj 2026, duke zbatuar klasifikimin e ri COICOP 2018, me vit bazë 2025 = 100 dhe metodologji të përditësuar”./Kallxo.com
Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.