Deputeti Tritan Shehu, anëtar i Komisionit për Politikë të Jashtme, ka dorëzuar kërkesë në Kuvendin e Shqipërisë, përmes të cilës kërkon që të dënohet gjenocidi serb ndaj popullit të Kosovës.
Kërkesa është bërë në përkujtim të 27 prillit 1999, ku në Mejë të Gjakovës, ndodhi masakra më e madhe gjatë luftës në Kosovë. U vranë 377 shqiptarë, kryesisht burra që u ndanë nga kolonat e të zhvendosurve që ishin nisur drejt Shqipërisë.
Deputeti Shehu u shpreh se në seancën e radhës plenare në Kuvendin e Shqipërisë duhet të mbahet një minutë heshtje në përkujtim të viktimave.
“Dorëzova një kërkesë në protokollin e Kuvendit. Sot është dita e përvjetorit të masakrës, në Kosovë, ku u masakruan burra dhe gra nga ushtria serbe. Për këtë arsye mendoj se kemi të bëjmë me një gjenocid ndaj popullsisë së Kosovës. Fatkeqësisht qeveria e Serbisë nuk ka kërkuar falje asnjëherë për këtë krim dhe për këtë gjenocid. Unë sot i kam kërkuar kryetares kuvendit, zonjës Nikolla që të mbahet 1 minutë heshtje për respekt të viktimave në Mejë dhe të dënojmë gjenocidin e Serbisë ndaj popullit të Kosovës”, tha deputeti i Partisë Demokratike.
Sipas tij, do të merren hapa të tjerë që Kuvendi edhe zyrtarisht të dënojë gjenocidin e Serbisë.
Kërkesë të tillë pati bërë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Si ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës, Osmani gjatë fjalimi të saj në Kuvendin e Shqipërisë më 17 dhjetor 2020, u bëri thirrje deputetëve të Shqipërisë që edhe Kuvendi i Shqipërisë, ashtu si ai i Kosovës, të dënojë gjenocidin serb në Kosovë.