Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, më 11.12.2024, është gjetur një mjet eksploziv i pashpërthyer, në fshatin Krushë e Vogël të Prizrenit.
Mjeti i pashpërthyer është gjetur në oborrin e një kompanie, derisa aty po kryheshin punime me ekskavator.
“Me datën 11.12.2024, rreth orës 14:30, nëpërmes telefonit, Policia është informuar se në oborrin e një Kompanie në Krushë të Vogël, Prizren (ish-“Bodrumi i verës”) dyshohet së gjatë punimeve me ekskavator është gjetur një mjet eksploziv i pashpërthyer.” – ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Bytyqi tha se mjeti duket të jetë një bombë kasetore antitank, e mbetur nga Lufta e fundit.
Policia ka njoftuar së ka dalë në terren dhe ka njoftuar edhe Njësitin për çminim të FSK-së.
“Policia ka dalë në vendngjarje dhe ka siguruar vendin. Njësitet përkatëse policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. Lidhur me rastin, gjithashtu, është informuar edhe Njësiti i deminimit i FSK-së.” – thuhet në njoftim.
Këto Njësi, me të dalë në vendin e ngjarjes, kanë udhëzuar që të mbyllen të gjitha rrugët që çojnë në atë drejtim. Ngase, mjeti eksploziv është vlerësuar si mjet shumë i rrezikshëm.
Pasi është siguruar kjo zonë, Njësia e çminimit ka shpërthyer mjetin pa ndonjë incident.
“Pasi që është siguruar rrethina, mjeti eksploziv është plasur (shpërthyer) në vendngjarje pa ndonjë incident.” – tha Bytyqi.