Gjatë vitit 2021 Inspektorati i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) ka hasur në 58 operatorë ilegalë, të cilët ndikojnë më së shumti në degradimin e mjedisit, ka bërë të ditur Ramiz Krasniqi, kryetar i Bordit të KPMM-së.
Krasniqi ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së se organi që udhëheq ai e ka të pamundur që të bëjë parandalimin e gurëthyesve ilegalë, për shkak të procedurave të stërzgjatura gjyqësore.
“Për momentin janë 567 licenca aktive në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), 154 prej tyre janë për shfrytëzim, të tjerat janë për hulumtim dhe aktivitete të veçanta. Këtë vit inspektorati i KPMM-së ka hasur në 58 operatorë ilegalë, degradimin e mjedisit më së shumti e bëjnë operatorët ilegalë, KPMM-ja e ka të pamundur parandalimin e tyre për shkak të procedurave pasi ne vetëm i gjobisim dhe i bëjmë inspektimet në teren, dhe lënda shkon në gjykatë, gjykatat në shumicën e rasteve po vonohen shumë, por edhe kur marrin masa, japin gjoba simbolik me çka ata inkurajohen të vazhdojnë punën”, ka thënë Krasniqi.





