LAJME

Në Klinikën e Neurokirurgjisë në QKUK kryhen dy operacione të rralla

Në Klinikën e Neurokirurgjisë në QKUK kryhen dy operacione të rralla
TV Prizreni
TV Prizreni
8 Korrik 2026, 07:37

Në Klinikën e Neurokirurgjisë në QKUK për herë të parë janë realizuar dy operime neurokirurgjikale me teknikën e neuroendoskopisë, një nga metodat më moderne dhe minimalisht invazive në kirurgjinë e trurit.

Siç njofton QKUK, më 6 dhe 7 korrik, Klinika e Neurokirurgjisë ka mirëpritur neurokirurgun nga Gjermania, Dr. Gousias Konstantinos, i cili, në bashkëpunim me ekipin profesional të Klinikës së Neurokirurgjisë, udhëhoqi realizimin e këtyre procedurave të avancuara kirurgjikale.

Gjatë kësaj vizite u kryen dy ndërhyrjet e rëndësishme: operimi i një tumori të hipofizës përmes qasjes neuroendoskopike dhe operimi i një tumori të ventrikulit të tretë të trurit me teknikën neuroendoskopike.

“Në të dyja ndërhyrjet u përdor edhe neuronavigatori, aparaturë moderne e disponueshme në Klinikën e Neurokirurgjisë, e cila mundëson orientim të saktë anatomik gjatë operacionit, rrit sigurinë e procedurës dhe ndihmon në kryerjen e ndërhyrjeve me precizion maksimal, në përputhje me standardet bashkëkohore të neurokirurgjisë” – njofton QKUK.

Ky institucion ka theksuar se  dy pacientët e operuar janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po vazhdojnë trajtimin dhe rikuperimin sipas planit mjekësor.

Gjatë gjithë procedurave, QKUK thotë se mjekët neurokirurgë, anesteziologët, infermierët instrumentarë dhe personeli i sallës operative morën pjesë aktive në trajnim praktik, duke përfituar njohuri dhe përvojë të drejtpërdrejtë në zbatimin e teknikave moderne të neuroendoskopisë dhe përdorimin e neuronavigatorit.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika