Në Kizhevak të Serbisë është konfirmuar ADN-ja e mbetjeve mortore të zhvarrosura. Nga Komisioni qeveritar për të pagjeturit konfirmuan se i përkasin viktimave të masakrës së Rezallës, të ndodhur më 5 prill 1999.
Kushtrim Gara nga Komisioni qeveritar për të pagjeturit, thotë për KSP se lokacioni i varrezës masive në Kizhevak është prioritet, por bën të ditur gjithashtu se gjatë këtij viti do të këtë gërmime edhe në Prizren, Gjakovë dhe ka mundësi rikthimi në Mitrovicë.
“Në bazë të raporteve të ADN-së mbetjet mortore të zhvarrosur deri më tani i përkasin viktimave të masakrës së Rrezallës, 5 prill ‘99. Ka disa lokacione të tjera brenda territorit të Republikës së Kosovës tani më të shënjuara të cilat do të trajtohen në ditët në vijim për shkak të përmirësimit të kushteve klimatike. Paraprakisht gjatë këtij viti veç se është punuar janë gërmuar 3 lokacione, lokacioni i varrezave të qytetit të Gjakovës, në Brekoc të Gjakovës ku janë zhvarrosur mbetjet mortore të një personi viktimë e luftës. Lokacioni në “Arbanë” të Prizrenit gjithashtu janë zhvarrosur mbetjet mortore të një personi dhe lokacioni në Mitrovicë të besimtarëve myslimanë në të cilat nuk ka pasur gjetje mortore, por ka disa lokacione pa përjashtuar mundësinë rikthimit në këto lokacione”, tha ai.





