Në Gjykatën Speciale në Hagë sot pritet të bëhet publik vendimi lidhur me mocionin e ekipeve mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së për të rrëzuar pjesë të caktuara të aktakuzës për krime të pretenduara të luftës.
12 qershori ka qenë afati i fundit kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi kanë mundur të dorëzojnë mocionin për rrëzimin e akuzave. Ndërkaq, Zyra e Prokurorit të Specializuar pati kohë të përgjigjet deri më 7 korrik.
Vendimi për mocionin pritet ta përcaktojë edhe rrjedhën e vazhdimit të këtij procesi gjyqësor.
Mbrojtja e ish-eprorëve të UÇK-së e ka konsideruar rastin e prokurorisë të dobët si dhe ka deklaruar se presin rezultat pozitiv në fund të këtij procesi gjyqësor.
Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon Thaçin dhe të tjerët me akuza për krime të pretenduara të luftës. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Specialja është kritikuar në vazhdimësi për redaktime të shumta dhe mbyllje për publikun.
Edhe Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj ka shprehur shqetësime rreth punës së Gjykatës Speciale. Qelaj ka ngritur dyshimet e tij nëse në Speciale po respektohen parimet e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm./KosovaPress