Në Gjermani, krahasuar me Kosovën, çmimi i naftës është vetëm 15 cent më shtrenjtë. Teksa në Kosovë çmimet të shtunën sillen mesatarisht rreth 1.75 euro, në Gjermani ato janë rreth 1.90, bazuar në të dhënat e faqes së derivateve atje. Por të ardhurat e qytetarëve të Kosovës janë gjashtëfish më të vogla krahasuar me ata që jetojnë në Gjermani.
Menjëherë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në Gjermani çmimet e derivateve pësuan rritje të jashtëzakonshme pasi shteti varej shumë nga nafta ruse. Çmimet u bën të papërballueshme për qytetarët, pavarësisht të ardhurave të larta. Sanksionet e Perëndimit vështirësuan edhe më shumë importin e naftës ruse.
Por qeveria e kancelarit Olaf Scholz mori vendim për të hequr akcizën e derivateve nga 1 qershori. Kjo politikë i ka ulur çmimet e derivateve për më shumë se 30 centë. Ky vendim do të jetë në fuqi për tre muaj e verës, deri më 1 shtator. Në këtë periudhë, gjermanët udhëtojnë më shumë.
Ndërkohë, në Kosovë çmimi i derivateve u rrit për gati 10 centë brenda një dite të premten. Çmimet janë rritur edhe më shumë gjatë së shtunës.
Krahasuar me një gjerman, të ardhurat e një kosovari janë gjashtëfish më të vogla.
Në Shqipëri, çmimet e derivateve janë mesatarisht 1.85 euro.
Sipas Zyrës Federale të Statistikave në Gjermani, paga mesatare neto në vitin 2021 ka qenë 2.665 euro. Në Kosovë, sipas Agjencisë së Statistikave, në vitin 2021 paga mesatare neto ka qenë 432 euro.