Policia e Kosovës njofton se Drejtoria për Parandalimin dhe Hetimin e Dhunës në Familje, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, ka organizuar një tryezë diskutimi në kuadër të fushatës globale “16 ditë të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”, me temën“Qasja në drejtësi për viktimat e dhunës në familje, me fokus në aspektet e sigurisë”.
Sipas policisë, ky aktivitet ka mbledhur përfaqësues të institucioneve kyçe të zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së viktimave, përfshirë Prokurorinë e Shtetit, Zyrën për Mbrojtjen e Viktimave, qendrat për punë sociale, gjykatat, strehimoret, mekanizmat lokalë koordinues si dhe organizata të shoqërisë civile.
“Tryeza ka mundësuar një diskutim të hapur dhe shkëmbim të përvojave profesionale ndërmjet institucioneve relevante lidhur me trajtimin e rasteve të dhunës në familje, zbatimin e masave mbrojtëse dhe forcimin e qasjes në drejtësi për viktimat. Diskutimet kontribuuan në thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe forcimin e mekanizmave të koordinimit me komunitetin, me synim adresimin sa më efektiv të rasteve të dhunës në familje. Një theks i veçantë iu kushtua garantimit të sigurisë së viktimave, përmes monitorimit elektronik të urdhrave mbrojtës dhe zbatimit të Procedurave Standarde Operative të Policisë që lidhen me reagimin, vlerësimin dhe menaxhimin e rasteve” – thuhet në njoftim.





