Në Bundestag të Gjermanisë është debatuar të enjten për vazhdimin e mandatit të ushtarëve gjermanë në misionin e KFOR-it.
Vazhdimi i mandatit është propozuar nga Qeveria e Gjermanisë, ndërsa pritet të aprovohet edhe në Bundestag meqenëse ka mbështetjen e shumicës në Qeveri, koalicionit CDU/CSU.
Thomas Hitschler, sekretar parlamentar i Ministrisë së Mbrojtjes së Gjermanisë, ka thënë se suksesi i misionit të KFOR-it tregohet në atë se rajoni i Ballkanit Perëndimor është më i sigurt.
Por, Hitschler ka thënë se ka potencial për përshkallëzim të situatës në Kosovë.
“Përparimet e arritura deri më tash tregojnë një bazë për angazhim të mëtutjeshëm për zhvillimin e Republikës së Kosovës. Askush s’ka mundur ta ëndërrojë para 24 vjetëve që do të hapej edhe perspektiva e Kosovës për anëtarësim në BE. Këto suksese janë meritë edhe të angazhimit të KFOR-it dhe po i afrohemi tash një situate të uljes së numrit të ushtarëve në KFOR, kjo pasi Policia e Kosovës ka marrë përgjegjësinë e sigurisë në tërë vendit. Për që jemi në këtë pikë është meritë e ushtareve e ushtarëve gjermanë që janë angazhuar në KFOR nga viti 1999 e deri më sot. Ndonëse në 24 vjetët e fundit është arritur përparim nëpërmjet dialogut mes Republikës së Serbisë dhe Republikë së Kosovës, prapë mbesin pyetje të paqartësuara. Ekziston një potencial për konflikt e përshkallëzim”, tha Hitschler, duke përmendur një nga arsyet mosnjohjen e sovranitetit të Kosovës nga Serbia dhe po ashtu mosthemelimin e Asociacionit të komunave serbe.
Hitschler ka thënë se për këtë arsye është i nevojshëm vazhdimi i mandatit që të mos rrezikohet suksesi i arritur për mbi dy dekada.
Me vazhdimin e mandatit, mund të aktivizohen deri 400 ushtarë gjermanë në KFOR. Vazhdimi i mandatit edhe për një vjet do të kishte kosto mbi 6 milionë euro. Aktualisht në Kosovë janë 70 ushtarë gjermanë në misionin e KFOR-it.
Në Bundestag pati edhe kundërshtime nga partitë e ekstremit të majtë dhe të djathtë për vazhdimin e mandatit të ushtarëve gjermanë në KFOR.
Markus Frohnmaier nga partia populliste e djathtë AfD, tha se është dështim vazhdimi i misionit të ushtarëve gjermanë në KFOR.
“Një çerek shekulli i misionit në Kosovë, është një dështim, pranoni këtë”, tha ai, raporton Deutsche Welle.
Ai përmendi edhe sulmin “ndaj Jugosllavisë në vitin 1999 pa mandat të OKB-së”.
Po ashtu tha se Kosova “përshkohet nga strukturat mafioze”.
Po ashtu edhe nga e majta pati kundërshtime për vazhdim të mandatit.