Një bashkatdhetare që jeton dhe vepron në Zvicer, e cila kishte ardhur në Kosovë për pushime, ka përjetuar një aksident gjatë qëndrimit në vendlindje.
Pas aksidentit, për ta transferuar në emergjencën në Prishtinë, në vendin e ngjarjes ka ardhur një autoambulancë me targa të Beogradit.
Ajo ka ndarë përvojën e saj përmes një postimi, duke thënë se fillimisht nuk e kishte vërejtur targën e autoambulancës, por kishte dëgjuar se personeli fliste serbisht.
“Pse po flasin serbisht?”, ka shkruar ajo, duke treguar se vetëm disa orë më vonë e kishte kuptuar se edhe targat e autoambulancës ishin të Beogradit.
Bashkatdhetarja ka vlerësuar reagimin e shpejtë dhe profesional të ekipit mjekësor, por ka thënë se, si fëmijë i luftës së fundit, dëgjimi i gjuhës serbe i ka rikthyer kujtime të dhimbshme.
“Sado që sjellja dhe reagimi ishte perfekt e i shpejtë, prapëseprapë një plagë, unë si fëmijë i luftës, u hap prapë”, ka shkruar ajo.
Ndryshe, e aksidentuara është nga një rajon i Prizrenit, i cili gjatë luftës së fundit në Kosovë ishte ndër zonat që përjetuan pasoja të rënda nga regjimi serb.
Megjithatë, në raste kur është në pyetje jeta dhe shëndeti i njeriut, ndihma dhe kujdesi profesional duhet të jenë mbi çdo dallim tjetër, pasi në momente të tilla më e rëndësishme është shpëtimi i jetës dhe ofrimi i ndihmës nga kushdo që është në gjendje ta ofrojë atë./tvprizreni.net/