LAJME

Ndërtuan pa leje një penthouse, aktakuzë ndaj një personi dhe një kompanie në Prizren

Ndërtuan pa leje një penthouse, aktakuzë ndaj një personi dhe një kompanie në Prizren
TV Prizreni
TV Prizreni
24 Qershor 2025, 11:18

Departamenti i Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve I.J., – person përgjegjës i personit juridik, dhe “E.I.”Sh.P.K. – person juridik, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se secili veç e veç kanë kryer veprat penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”.

Sipas aktakuzës, nga data 05.04.2024 dhe në vazhdimësi deri më datë 23.04.2024, “në Prizren në rrugën ‘Adnan Krasniqi’, i pandehuri I.J.,- si person përgjegjës i personit juridik dhe ‘E.I.’ Sh.P.K – person juridik, veprojnë në kundërshtim me kushtet e lejes së ndërtimit, në atë mënyrë që në ngastrat kadastrale në Prizren, gjatë zhvillimit të punimeve kanë filluar ndërtimin e aneksit (shtim-ndërtimit) të bazës së penthouset mbi bazën e katit të shtatë (VII) të objektit për banim kolektiv me lokale afariste, duke tejkaluar projektin kryesor të aprovuar me leje ndërtimi, përkundër faktit se Inspektorati i urdhëron që të ndërpriten punimet”.

“Të njëjtit vazhdojnë me realizimin e punimeve edhe pas ndërprerjes duke bërë betonimin e aneks pllakës së penthouset, mbi pllakën e aneksit të penthauset betonohen dy shtylla dhe trau”, tha Prokuroria në njoftim.

Po ashtu, theksohet se të pandehurit e lartcekur, në mënyrë të kundërligjshme kanë hequr shiritat e ngjitur nga Drejtoria e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, të cilët i kishin vendosur për ndalimin e punëve ndërtimore në penthouse, duke vazhduar me punët ndërtimore në objekt.

Me këto veprime, Prokuroria tha se të pandehurit e lartcekur kanë kryer veprat penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”, sipas KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika