Punonjësit dhe palët ndërgjyqëse vlerësojnë se objekti i vjetër i Gjykatës Themelore të Prizrenit nuk i plotëson kushtet për punë. Sipas tyre, ndërtimi i objektit të ri është domosdoshmëri. Tenderi i shpallur sivjet nga Këshilli Gjyqësor për këtë projekt është anuluar ditë më parë. Por, zyrtarët e gjykatës janë optimistë për përmbylljen e procedurave të prokurimit gjatë këtij viti
Pas shumë kërkesash e përpjekjesh, lokacioni si dhe buxheti për ndërtimin e objektit të ri të kësaj gjykate janë siguruar.
Mirëpo tenderi i shpallur për këtë projekt në shkurt të këtij viti nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës me vlerën 2.5 milionë euro është anuluar gjatë muajit maj, me arsyetimin se të gjitha ofertat janë të papërgjegjshme.
Procedura e prokurimit parashihet që të iniciohet sërish nga Këshilli Gjyqësor.
Visar Ostrozubi nga Oda e Avokatëve të Kosovës – dega në Prizren ka vlerësuar se objekti i ri është domosdoshmëri për gjykatën meqë në mungesë hapësire një numër i gjykatësve janë të detyruar që gjykimet t’i mbajnë edhe në zyrat e tyre.
“Objekti i vjetër i Gjykatës Themelore në Prizren tashmë ka filluar që mos t’i plotësojë kushtet elementare për proceset e shumta gjyqësore që zhvillohen në këtë gjykatë, duke pasur parasysh rritjen e intensitetit të lëndëve në gjykatë, e cila edhe pothuajse po ua pamundëson qytetarëve realizimin e të drejtave në një periudhë të shkurtër”, ka thënë Ostrozubi.
Pranverim Berisha, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, ka konfirmuar caktimin e lokacionit për ndërtim në ish-pronën shoqërore sikurse edhe lëshimin e lejes ndërtimore për këtë projekt.
Gjyqësor i Kosovës e ka marrë lejen më datë 15.2.2023 dhe 12 muaj e ka aktive lejen për ndërtimin e objektit. Nëse nuk fillojnë brenda 1 viti kalendarik atëherë kanë të drejtë me paraqitë edhe kërkesën për vazhdimin e lejes ndërtimore”, u shpreh Berisha.
Objekti i vjetër i Gjykatës Themelore në Prizren qe rinovuar në vitin 2010 me mbështetjen e USAID-it. Nga fillimi i këtij viti Divizioni Civil është bartur në objektin ndihmës në rrugën “William Walker”.
Marcel Lekaj, zëdhënës i Gjykatës Themelore të Prizrenit, duke konfirmuar kushtet joadekuate për punë ka bërë të ditur se ndërtimi i objektit të ri të Gjykatës Themelore të Prizrenit për vite ka qenë peng i gjetjes së lokacionit.
Ai shton se pritjet janë që gjatë këtij viti të përmbyllet tenderimi dhe të nisë ndërtimi.
shpresojmë që gjatë këtij viti Këshilli me institucionet e tjera kompetente të mund të arrijnë të përmbyllin fazën e tenderimit dhe të përzgjedhjes së kompanisë për të realizuar planin dhe projektin e ndërtimit, dhe shpresojmë që ndoshta edhe brenda vitit 2023 të fillojë ndërtimi. Në bazë të projektit dhe planit parashihet që nga momenti i fillimit të ndërtimeve periudha kohore të zgjasë tre më së shumti katër vjet, në rast të shfaqjes së pengesave të ndryshme”, ka thënë Lekaj.
Qeveria e Kosovës, në mars të vitit të shkuar, pati miratuar vendimin përfundimtar për shpronësimin për interes publik të ish-pronës shoqërore për ndërtimin e objektit të ri të Gjykatës Themelore në Prizren./KOHA/