LAJME

Ndërpriten shërbimet e “Ekoregjionit” në Suharekë, kriza financiare dhe mosmiratimi i tarifës lënë punëtorët pa paga

Ndërpriten shërbimet e “Ekoregjionit” në Suharekë, kriza financiare dhe mosmiratimi i tarifës lënë punëtorët pa paga
TV Prizreni
TV Prizreni
4 Prill 2026, 07:36

Kompania Rajonale e Mbeturinave “Ekoregjioni” ka ndërprerë përkohësisht shërbimet në Komunën e Suharekës për shkak të krizës financiare dhe pamundësisë për të paguar punëtorët.

Kryeshefi ekzekutiv, Burim Shala, bëri të ditur se situata ka ardhur si pasojë e mosaprovimit të rritjes së tarifës së mbeturinave nga Kuvendi Komunal, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të kompanisë ndër vite.

Sipas tij, kompania që nga viti 2022 ka kërkuar rritjen e tarifës fillimisht nga 4.50 në 6.50 euro, ndërsa në janar të vitit 2026 ka propozuar tarifë prej 7.50 euro, duke u bazuar në rritjen e kostove operative. Megjithatë, Kuvendi Komunal ka miratuar një tarifë prej 6 eurosh, të cilën kompania e konsideron të pamjaftueshme dhe të paqëndrueshme për funksionim normal.

Shala theksoi se vetëm për periudhën janar–mars 2026, Komuna e Suharekës ka krijuar një borxh prej rreth 53 mijë euro ndaj kompanisë, duke pamundësuar përmbushjen e obligimeve financiare, përfshirë pagat e punëtorëve. Ai paralajmëroi se nëse situata vazhdon, pagat nuk do të mund të realizohen as në muajt në vijim.

Kompania ka bërë të ditur se në vitin 2025 ka regjistruar humbje prej rreth 140 mijë euro, ndërsa për vitin 2026 parashihet një humbje shtesë prej rreth 114 mijë euro nga muaji korrik, nëse tarifa aktuale mbetet në fuqi.

Siç bëhet e ditur, pavarësisht prezantimeve dhe paralajmërimeve të përsëritura para asamblistëve, si dhe përpjekjeve të kryetarit të komunës, Bali Muharremaj, për më shumë se dy vite, kërkesat e kompanisë nuk janë marrë parasysh.

“Ekoregjioni” thekson se funksionon mbi bazën e vetëfinancimit dhe nuk ka burime të tjera të të hyrave përveç tarifës së mbeturinave, duke shtuar se në këto rrethana nuk mund të garantojë vazhdimësinë e shërbimeve.

Kompania paralajmëron gjithashtu për pasoja të mundshme, përfshirë rrezikun e përhapjes së epidemive si pasojë e moslargimit të mbeturinave, duke theksuar se përgjegjësia për situatën aktuale bie mbi Kuvendin Komunal të Suharekës.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika