LAJME

Nderohen policët e rënë në detyrë, kujtohet sakrifica e tyre për Kosovën

Nderohen policët e rënë në detyrë, kujtohet sakrifica e tyre për Kosovën
TV Prizreni
TV Prizreni
26 Korrik 2026, 08:52

Në Ditën Memoriale të Policëve të Rënë në Detyrë, krerët e institucioneve të Kosovës kanë nderuar kujtimin e zyrtarëve policorë që humbën jetën gjatë shërbimit. Në një ceremoni homazhesh pranë Lapidarit të Policëve të Rënë në Prishtinë, u vlerësua sakrifica e tyre për mbrojtjen e rendit, sigurisë dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Krerët më të lartë të institucioneve të Kosovës kanë nderuar kujtimin e policëve që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës, duke bërë homazhe pranë Lapidarit të Policëve të Rënë në Prishtinë.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, kanë përkujtuar 24 policët e rënë në detyrë, duke vlerësuar kontributin dhe sakrificën e tyre për vendin.

“Sot kujtojmë policët që dhanë jetën në mbrojtje të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Liria, siguria dhe sovraniteti i shtetit tonë janë ndërtuar edhe mbi sakrificën e tyre”, deklaroi Haxhiu.

Ajo përmendi veçanërisht policët Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku, duke theksuar se ata ranë në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe rendit kushtetues të Kosovës.

“Lavdi jetës dhe veprës së policëve të rënë në krye të detyrës. Sakrifica e tyre do të mbetet gjithmonë në kujtesën e shtetit dhe qytetarëve tanë”, u shpreh Haxhiu./rtk/

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika