Policia e Kosovës ka arrestuar në Prishtinë, Gjilan e Gjakovë 11 persona, nën dyshimin për dallavere me patentë-shoferë. 10 prej tyre, të gjithë zyrtarë janë ndaluar për 48 orë.
Siç ka njoftuar Policia të enjten, gjatë ditës ka realizuar planin operativ “Patenta” duke kontrolluar 10 lokacione të ndryshme në këto tri komuna. Lokacionet përfshinin shtëpi private, zyra rajonale të Ministrisë së Infrastrukturës, koordinatorë/ekzaminerë dhe biznese me veprimtari të autoshkollës.
Sipas njoftimit, hetimet kanë nisur muaj më parë dhe janë aplikuar masa të veçanta për të siguruar dëshmi të mjaftueshme për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pranim ryshfeti, ushtrim ndikimi e armëmbajtje pa leje.
“…duke u dëshmuar se njëmbëdhjetë të dyshuar meshkuj kosovarë në forma të ndryshme në vazhdimësi kanë ndihmuar kandidatë të shumtë për tu pajisur me patentë shofer të kategorive të ndryshme, me qëllim të përfitimit material për vete apo për persona të tjerë, gjithnjë në kundërshtim me ligjin”, thuhet në njoftim.





