Që nga 15 qershori në Kosovë është e ndaluar të hyjnë kamionët më mallra serbe, ky vendim i Qeverisë kishte ardhur pas rrëmbimit të tre policëve nga forcat serbe.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë për Telegrafin se vërehet që ka një përmirësim të situatës në veri, megjithatë ai thotë se nuk duhet nxituar me largimin e këtyre masave.
“Masat e deritanishme në kufi kanë qenë masa të karakterit të sigurisë, pas rastit të rrëmbimit të 3 policëve të Kosovës nga brendia e territorit të vendit tonë e në kufi me Serbinë. Ka qenë vlerësim i institucioneve të sigurisë që të rriten kontrollet dhe vigjilenca në pikat kufitare me Serbinë. Deri më tani për masat kanë vlerësuar dhe vepruar institucionet e sigurisë. Analiza e situatës së sigurisë është e vazhdueshme. Vërehet se ka një përmirësim të situatës dhe ne urojmë që ajo t’i kthehet normalitetit të plotë sa më parë. Ne jemi optimist që situata e përmirësuar do ta mundësojë largimin e masave por edhe nuk duhet të nxitohemi”, është shprehur ai.
Kryeziu shtoi tutje se “Gjithsesi i takon përherë institucioneve të sigurisë që vlerësojnë, rekomandojnë e të vendosin për to”.
Ndryshe, kryeministri i vendit, Albin Kurti kishte deklaruar se këtë vendim e ka marrë për arsye të sigurisë.
“Për arsye të sigurisë, si hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë, duke kufizuar qarkullimin dhe duke shtuar kontrollet ndaj automjeteve që vinë nga Serbia, sidomos ato transportuese”, u shpreh Kurti.
Ndryshe, vendosja e kryetarëve të rinj shqiptar në katër komunat veriore, Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, kishte nxitur reagime të ashpra të serbëve lokalë.
Në këto komuna që nga data 26 maj ka pasur zhvillime të njëpasnjëshme, serbët protestuan dhunshëm për disa ditë, ku tentuan të hyjnë më forcë në objektet e komunave.