Ndahet Futbolli kosovar është në zi pas lajmit për ndarjen tragjike dhe të parakohshme nga jeta të ish-futbollistit Fatjon Bunjaku, i cili humbi jetën si pasojë e një aksidenti fatal.
Lajmi u konfirmua fillimisht nga FC Malisheva përmes një njoftimi mortor, ku klubi shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e ish-lojtarit të tij.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të ish-lojtarit tonë, Fatjon Bunjaku, si pasojë e një aksidenti fatal. Lajmi na ka tronditur thellësisht të gjithëve”, thuhet në reagimin e klubit.
FC Malisheva vlerësoi kontributin e Bunjakut gjatë kohës sa ishte pjesë e skuadrës, duke theksuar se kujtimi i tij do të mbetet përgjithmonë pjesë e historisë së klubit.
Për vdekjen e Bunjakut ka reaguar edhe Federata e Futbollit e Kosovës. Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në emër të federatës dhe komunitetit të futbollit, u ka shprehur ngushëllime familjarëve për humbjen e rëndë.
Në letrën e ngushëllimit, Ademi e ka cilësuar Bunjakun si më shumë sesa një futbollist të talentuar, duke vlerësuar karakterin, përkushtimin dhe dashurinë e tij për sportin.
“Kontributi i tij në klubet ku luajti dhe paraqitjet me fanellën e Kosovës U21 do të mbeten pjesë e kujtimeve të çmuara të futbollit tonë. Fatjoni përfaqësoi me krenari ngjyrat e Kosovës dhe ishte një shembull i një sportisti që gjithmonë synonte të ecte përpara”, thuhet në mesazhin e presidentit të FFK-së.
Sipas FFK-së, largimi i tij në një moshë kaq të re ka tronditur gjithë komunitetin sportiv, ndërsa futbolli kosovar ka humbur një talent të madh dhe një sportist të respektuar.
Fatjon Bunjaku kishte luajtur për FC Lirinë dhe FC Malishevën, ndërsa gjatë karrierës së tij kishte veshur edhe fanellën e Kosovës U21, duke lënë gjurmë në futbollin kosovar.
Ndarja e tij nga jeta ka pikëlluar familjarët, miqtë, bashkëlojtarët dhe gjithë komunitetin e futbollit në vend.