Ka ndërruar jetë në moshën 64 vjeçare, mësimdhënësi i IAAP “ Ymer Prizreni”, Refik Shabani, ka njoftuar drejtoresha e këtij institucioni, Myvedete Gavazaj. Me këtë rast, ajo ka ngushëlluar familjen, kolegët, miqtë dhe të gjithë ata që e njohen të mësimdhënësin e ndjerë.
“Të nderuar miq, shokë dhe të gjithë ju të pranishëm, E nderuar Familje Shabani, Sot ju keni dhimbje, sepse, nga ju, sot po ndahet babai, gjyshi, po ndahet një kryefamiljar, një shtyllë e shtëpisë suaj.
Ndërsa, dhimbje dhe pikëllim u ndie edhe për ne, për kolegët dhe për nxënësit e Shkollës Ekonomike “Ymer Prizreni”, kur morëm lajmin se, na paska shkuar në amshim, kolegu, profesori dhe njeriu shumë i dashur për nxënës e për të gjithë ne që e kemi njohur profesorin Refik.
Profesor, herët ike nga kjo botë. U ndave nga familjarët, nga kolegët, nga nxënësit, nga shokët e nga miqtë. Jemi të sigurt se, do të doje të jetoje edhe për një kohë, porse, vdekja nuk e pyet askë, dhe se, përkundër përballjes, në fund çdo krijesë i dorëzohet asaj.
Profesori Refik, nxënësit e shkollës sonë, çdo ditë na pyesnin për shëndetin tuaj. Çdo ditë na pyesnin kur do të vijë të na mbajë mësim profesori.
E ne, përgjigje u jepnim se, profesori është më mirë, dhe shumë shpejt do të kthehet në mesin tuaj dhe tonin. Por, nuk ndodhi kështu, sepse, përkundër përballjes me sëmundjen, vdekja doli më e fuqishme dhe e mundi profesorin.
Profesori Refik, lindi më 19 gusht të vitit 1959. Është shkolluar në vendlindje dhe në Dragash, ndërsa studimet, drejtimi i Edukatës fizike, i ka kryer në Prishtinë.
Punën si mësimdhënës e ka nisur në vitet më të vështira, në marsin e demonstratave të vitit 1981, në shkollën e mesme “Emin Duraku” në Dragash.
Pastaj, ka punuar në disa shkolla të Opojës, ndërsa në fundin e karrierës së tij, ka punuar në Shkollën Ekonomike “Ymer Prizreni”.
Profesori Refik, duke qenë profesor i edukatës fizike, me një trup gjigant sportiv, ka dhënë kontribut të çmuar rreth organizimit të garave të ndryshme sportive, në Opojë dhe më gjerë në komunën e Dragashit e të Prizrenit.
I edukuar dhe i kalitur në frymën e atdhedashurisë, ka dhënë kontributin e vet edhe te të rinjtë, te nxënësit, me frymëzimin se, dashuria ndaj atdheut është virtyti më i lartë për njeriun në shoqërinë e një shteti.
Kështu, të edukuar dhe të arsimuar në këtë frymë, nëpër duar të profesorit, kanë dalë shumë gjenerata, që sot janë kuadro të shtetit dhe kontribues të atdheut.
E nderuar familje e profesorit Refik, nga sot, do t’ju mungojë kjo shtyllë e familjes, por besoni që, edhe neve, miqve, nxënësve dhe kolegëve do të na mungojë, sepse, profesori ishte një mësimdhënës i përkushtuar, mbi të gjitha, tamam shok, dhe njeri i mirë.
Vdekja është proces. Çdo gjë e gjallë, një ditë edhe do të niset për në botën e amshuar. Ju, familje e profesorit, duhet të bëheni të fortë, të besueshëm te Zoti, dhe ta përballoni dhimbjen.
Prandaj, në emër të nxënësve të Shkollës Ekonomike, në emër të Drejtorisë dhe në emër të kolektivit të shkollës sonë, pranoni ngushëllimet më të sinqerta, sepse, një pjesë të dhimbjes e bartim edhe ne. Lavdi profesorit Refik Shabani!”, ka shkruar drejtoresha, Gavazaj.
Varrimi i të ndjerit është bërë sot në kohën e drekës, në varrezat e vendlindjes së tij në fshatin Buçe të Dragashit.