Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë për Ekonomia Online se gjatë mandatit të saj, fokus të veçantë ka pasur përmirësimin e kushteve të fëmijëve me aftësi të kufizuara.
Nagavci ka thënë se është ndarë buxheti i nevojshëm për këta fëmijë, si dhe ka njoftuar se janë punësuar 400 asistentë në mënyrë që të krijohen mundësitë e barabartë për të gjithë fëmijët.
“Kemi punuar me shumë përkushtim gjatë këtij mandati. Janë një varg reformash dhe zhvillime, të cilat rezultatet do t’i japim gjatë ditëve dhe muajve dhe viteve në vijim. Duke filluar që nga edukimi i hershëm e deri tek arsimi i lartë, inovacioni dhe shkenca. Sa i përket përfshirjes së fëmijëve me nevoja të veçanta kanë qenë një nga fokusi dhe vëmendja e veçantë e jona. Përtej aspektit ligjor, që është mandat i qeverisë, ne kemi ndarë edhe buxhetin e nevojshëm dhe kemi përmbushur tashmë edhe para kohës zotimin tonë për punësimin e 400 asistentëve të fëmijëve me nevoja të veçanta në mënyrë që të krijohen mundësitë e barabarta për të gjithë fëmijët. Përtej kësaj kemi pasur politika dhe veprime konkrete për mbështetjen e të gjithë mësimdhënësve të cilët punojnë me fëmijët me nevoja të veçanta jo vetëm të asistentëve. Një varg trajnimesh dhe programesh për zhvillimin profesional jo vetëm të mësimdhënësve por edhe të inspektorëve të cilët monitorojnë punën në shkolla”, ka thënë Nagavci.





