Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se në takimet e së martës me Drejtorët Komunal të Arsimit dhe përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve të Kosovës dhe ata të Nxënësve të Kosovës, ka folur për rëndësinë e themelimit të Forumit nacional për siguri në shkolla në mënyrë që të parandalohet dhuna.
Ajo ka thënë se këto takime janë zhvilluar në kuadër të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor.
“Në kuadër të diskutimeve, marrë shkas edhe ngjarjen e fundit të dhunës ndaj një 11 vjeçareje, e adresova edhe çështjen e sigurisë në shkolla. Si Ministre e Arsimit do të kem zero tolerancë ndaj këtyre rasteve dhe për këtë kishte pajtueshmëri të plotë nga të gjithë pjesëmarrësit. E theksova rëndësinë e themelimit të Forumit nacional për siguri në shkolla dhe kërkova vëmendje të veçantë në këtë segment për të parandaluar çdo lloj forme të dhunës në shkolla”, është shprehur ajo.
Ajo më tej ka theksuar se drejtorët e DKA-ve kanë deklaruar se janë bërë përgatitjet e duhura për vitin e ri shkollor dhe u pajtuan që 1 shtatori duhet të jetë dita e fillimit të vitit shkollor.
“Sigurisht u diskutua edhe në lidhje me kërcënimin e SBASHK-ut për çështjen e grevës. I njoftova se nga ana e MAShTI të gjithë punëtorët e arsimit janë trajtuar në mënyrë të drejtë në Projektligjin për paga. MASHTI i ka bërë të gjitha përgatitjet për vitin e ri shkollor, është bërë shpërndarja e teksteve dhe është duke u realizuar edhe shpërndarja e Abetares së përbashkët me Shqipërinë”, ka thënë ajo.