Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka deklaruar se çështja e sigurisë së nxënësve në shkolla është çështja kryesore dhe me interes të veçantë në politikat arsimore, prandaj edhe nevojitet bashkëpunim i mirë ndërmjet nxënësve, mësimdhënësve, psikologut, drejtorit dhe prindërve, në mënyrë që të adresohen rastet kur dikush ndjehet që po i cenohet çfarëdo e drejte.
Nagavci ka vazhduar aktivitetet në kuadër të fushatës njëmujore sensibilizuese kundër dhunës në shkolla me moton “Të gjithë së bashku për shkollën miqësore”, në shkollën “Iliria” në Prishtinë, në të cilën ishte duke u trajtuar tema e dhunës me nxënësit e klasëve të pesta.





