Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci ka vlerësuar se përgjegjësia për edukimin e fëmijëve nuk i takon vetëm shkollës por është proces që kërkon edhe bashkëpunimin e prindërve.
Në ditë pasi Policia e arrestoi një mësimdhënës të shkollës “Pavarësia” në Prishtinë për dhunë ndaj një nxënësi, Nagavci ka thënë se dhuna, në çfarëdo forme dhe nga cilido që vjen, është plotësisht e papranueshme dhe nuk ka vend në institucionet arsimore.
“Përgjegjësia për edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve nuk i takon vetëm shkollës, por është një proces i përbashkët që kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes prindërve dhe institucionit arsimor. Vetëm përmes komunikimit të hapur, mirëkuptimit dhe angazhimit të ndërsjellë mund të krijojmë një mjedis të sigurt, mbështetës dhe motivues për nxënësit”, ka shkruar Nagavci.
Sipas saj shkolla duhet të jetë hapësirë e sigurt, ku mbizotëron respekti, dialogu dhe mirëkuptimi, si për nxënësit ashtu edhe për mësimdhënësit.
“Rasti i ndodhur dje në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, ashtu si edhe raste të tjera të mëparshme, dëshmon qartë se, përveç nxënësve, dhuna prek edhe mësimdhënësit, stafin tjetër, prindërit dhe vetë komunitetin shkollor, duke cenuar sigurinë, dinjitetin dhe mirëqenien e të gjithëve. Asnjë formë dhune nuk ka vend në institucionet arsimore dhe asnjë rast nuk duhet të anashkalohet apo të relativizohet”, ka shkruar ajo.
Nagavci ka thënë se Ministria e Arsimit ka ndërtuar mekanizma të qartë ligjorë dhe institucionalë për parandalimin dhe adresimin e dhunës në shkolla. Sipas saj shkollat kanë obligim që çdo rast dhune ta trajtojnë me seriozitet maksimal dhe ta raportojnë në Sistemin për Menaxhimin e Informatave në Arsim (SMIA). Mosraportimi i rasteve Nagavci ka theksuar se përbën shkelje të drejtpërdrejtë të obligimeve institucionale.
Në këtë zinxhir përgjegjësie, sipas Nagavcit ka thënë se drejtoritë komunale të arsimit mbajnë peshën kryesore të llogaridhënies.
“Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë, e cila që nga viti 2016 ka të miratuar Rregulloren për organizimin e punës në shkollat fillore dhe të mesme, ka obligim të qartë ligjor që të sigurojë zbatimin e masave edukativo-arsimore të parapara me këtë akt dhe aktet e Ministrisë së Arsimit. Çdo neglizhencë, vonesë apo mosveprim nga ana e DKA-së nënkupton dështim institucional dhe bart përgjegjësi të drejtpërdrejtë për pasojat që krijohen në shkolla”, ka shkruar Nagavci.
Ajo ka thënë se pas rastit në shkollën “Pavarësia”, Inspektorati i Arsimit ka vepruar menjëherë, duke dalë në terren dhe duke realizuar inspektim.
Sipas saj të gjitha gjetjet që bien në kompetencën e Inspektoratit do të trajtohen pa kompromis dhe do të pasohen me veprime konkrete.
Stafi i shkollës “Pavarësia” të martën ka mbajtur grevë dyorëshe në shenjë proteste ndaj sjelljeve të disa nxënësve, një ditë pasi Policia e arrestoi një mësimdhënës të kësaj shkolle për dhunë ndaj një nxënësi.
Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar.
Të hënën është publikuar një video nga mediumi Kallxo.com, ku shihet se në ambientet brenda shkollës ka ndodhur përleshja fizike.





