Ministrja e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka vizituar Luginën e Preshevës, ku ka vizituar disa shkolla.
Ministrja Nagavci nga vizita në shkollën fillore “Abdullah Krashnica” në Miratoc ka thënë se kanë diskutuar për financimin e projekteve për ruajtjen e identitetit kombëtar.
“Në shkollën fillore “Abdullah Krashnica” në Miratoc pamë nga afër punën e mësimdhënësve dhe nxënësve të kësaj shkolle e cila njihet si ndër më të sukseshmet në këtë pjesë. Diskutuam për financimin e projekteve për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe shtimin e bashkëpunimit në të ardhmen. Vizituam po ashtu Entin parashkollor “8 Marsi” në Preshevë ku u pritëm ngrohtë nga drejtoria, edukatoret dhe fëmijët e këtij institucioni. Me këtë rast, shpërndajmë librin “Mësojmë duke luajtur”, për 950 fëmijë të moshës parashkollore,” ka shkruar Nagavci.
Para nxënësve dhe qytetarëve në Luginën e Preshevës, Nagavci ka thënë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në ofrimin e përkrahjes për realizimin e të drejtave dhe nevojave të qytetarëve në Luginën e Preshevës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në ofrimin e përkrahjes për realizimin e të drejtave dhe nevojave të qytetarëve në Luginën e Preshevës. Për këtë arsye ka ndarë mjete financiare që kanë synim promovimin e interesave të shqiptarëve në Luginë si dhe parandalimin e shpopullimit të vendit. Si Qeveri e Ministri e Arsimit, Luginës së Preshevës i kushtojmë vëmendje të veçantë. Lugina ka nevojë për më shumë, andaj do vazhdojmë angazhimin që brenda kapaciteteve tona, të bëjmë më shumë për ta.” – ka shkruar ministrja Nagavci.