Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka thënë se greva e paralajmëruar nga Sindikata për Arsim i dëmton nxënësit.
Në një konferencë për media ajo theksoi se humbja e mësimit shkel të drejtën e nxënësve për arsim.
Sipas Nagavcit, MASHTI ka ndërmarrë një sërë veprimesh deri tash që ka plotësuar kërkesa të mësimdhënësve dhe se po punon në vazhdimësi për këtë.
“Kemi ndjekur deklarimet e ditëve të fundit që Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar grevën më 25 gusht, duke e pranuar se e njohim organizimin sindikal, kërkesat për kushte më të mira të punës, vetë këto që i përmenda janë disa nga veprimet që i kemi ndërmarrë që të lehtësohet puna e mësimdhënësve. Mosmbajtja e mësimit i dëmton më së shumti nxënësit dhe shkel të drejtën e tyre për arsim. Humbja e mësimit është cenim i së drejtës themelore e fëmijëve për arsim dhe për ne është e papranueshme sepse në vazhdimësi po punojmë që të ofrojmë mbështetje për mësimdhënësit dhe përmirësimin e rezultateve në arsim”, tha ajo. /koha.net/