LAJME

Nagavci: Mirëpresim vazhdimin e bisedimeve Kurti-Abdixhiku

Nagavci: Mirëpresim vazhdimin e bisedimeve Kurti-Abdixhiku
TV Prizreni
TV Prizreni
31 Korrik 2026, 12:20

Lëvizja Vetëvendosje ka mirëpritur gatishmërinë e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të vazhduar bisedimet me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti lidhur me formimin e institucioneve të reja. Kështu ka bërë të ditur përfaqësuesja e LVV-së, Arbërie Nagavci pas takimit konsultativ të kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, me përfaqësuesit e partive politike,

Në konferencën për media, Nagavci tha se prioritet mbetet konstituimi i Kuvendit dhe funksionalizimi i institucioneve me mandat të plotë.

“Dje pas rikonfirmimit të zgjedhjes së tij si domethënë gjegjësisht vazhdimit të punës së tij si kryetari i LDK-së ai deklaroi që ka marrë edhe autorizimin nga kuvendi që të vazhdojë me bisedimet me kryeministrin Kurti. Ne natyrisht se e mirëpresim këtë vendim të kuvendit edhe presim që të vazhdojnë diskutimet edhe dakordimi sepse vendi ka nevojë që sa më parë të vazhdojë puna në të gjitha institucionet me mandat dhe kompetenca të plota. Tani kjo është çështje që do të vendoset në mes të edhe kryetarit të lëvizjes vetëvendosje edhe të kryetarit të LDK-së, unë besoj që në afatin sa më të shkurtër të mundshëm do të vazhdojnë diskutimet në mënyrë që të vazhdojmë punën”, u shpreh ajo.

E pyetur nëse do të vazhdojë ta udhëheqë Grupin Parlamentar të LVV-së edhe në legjislaturën e re, Nagavci tha se kjo çështje ende nuk është diskutuar në organet e partisë.

“Këto janë çështje që do të diskutohen në forumet e partisë, nuk ka ndonjë qëndrim deri më tani për pozita, e rëndësishme është që të vazhdojë puna të konstituohet kuvendi ndërkohë që secili nga deputetët e zgjedhur unë besoj që do ta kryejë me përgjegjësi punën”, tha ajo.

Duke folur për procesin e zgjedhjes së presidentit, Nagavci tha se pret që të gjithë deputetët të marrin pjesë në vendimmarrje.

Foli edhe lidhur me pjesëmarrjen e  Aleancës në zgjedhjen e presidentit.

“Tash meqenëse po afrohet dita e konstituimit të kuvendit unë pres që të reflektojnë edhe natyrisht të marrin pjesë në takime po përtej kësaj edhe të bëhen pjesë e procesit të përzgjedhjes së presidentit apo presidentes.”, tha Nagavci.

Sa i përket pyetjes nëse Vjosa Osmani mbetet kandidatja konsensuale e LVV-së për një mandat të ri, Nagavci nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke theksuar se vendi ndodhet në një momentum të ri politik dhe se diskutimet ndërmjet kryeministrit Kurti dhe kryetarit të LDK-së pritet të përcaktojnë hapat e mëtejmë./KP

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika