LAJME

Nagavci miraton vendimin për kurrikulën e re për edukimin në fëmijërinë e hershme: Një hap i rëndësishëm për të ardhmen e fëmijëve tanë

Nagavci miraton vendimin për kurrikulën e re për edukimin në fëmijërinë e hershme: Një hap i rëndësishëm për të ardhmen e fëmijëve tanë
TV Prizreni
TV Prizreni
17 Prill 2025, 23:19

Ministrja ende në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se sot ka nënshkruar vendimin për miratimin e kurrikulës për edukimin në fëmijërinë e hershme, duke thënë se është një dokument kyç që vendos themelet për zhvillimin e hershëm të fëmijëve tanë.

“E hartuar nga një ekip i gjerë profesionistësh – edukatorë, drejtorë të institucioneve parashkollore, profesorë universitarë, zyrtarë të MASHTI-t dhe ekspertë nga Instituti Pedagogjik – kurrikula është mbështetur nga partnerë ndërkombëtarë si UNICEF, Banka Botërore, Save the Children dhe Caritasi Zviceran”, shkruan Nagavci.

Sipas saj, kjo kurrikulë është pilotuar me sukses në 10 komuna në 12 institucione parashkollore dhe 17 klasë duke reflektuar format e ndryshme të edukimit në këtë nivel.

“Me një qasje gjithëpërfshirëse, kurrikula synon të nxisë mirëqenien, mësimin aktiv, shprehitë e shëndetshme dhe zhvillimin e fëmijës si hulumtues i vogël, duke vendosur fëmijën në qendër të procesit edukativ dhe njëkohësisht promovon rolin vendimtar të prindërve në edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve. Ky është një hap drejt një fillimi më të mirë për çdo fëmijë në Kosovë”, shkruan tutje ministrja Nagavci.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika