Para se të certifikohej rezultati zgjedhor, kryeministri në detyrë Albin Kurti në vazhdimësi ka deklaruar se do t’i niste bisedimet për çështjen e Presidentit, tek pasi të kryhej ky proces nga ana e KQZ-së.
Kallxo.com ka kontaktuar shefen e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje të legjislaturës së kaluar, Arbërie Nagavci, për ta pyetur se kur do të nisin takimet, por ajo nuk ka dhënë ndonjë datë.
“Besoj se kryeministri Kurti do t’i thërrasë shumë shpejtë në takim kryetarët e partive opozitare, për diskutim në lidhje me çështjen e Presidentit/es. Ndërkohë që do të takohemi edhe në forumet tona partiake”- tha Nagavci në mbrëmjen e 08.07.2026 për Kallxo.com.
Një ditë më parë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, duke mos dhënë datë specifike, ka deklaruar se në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, seanca konstituive e Kuvendit të Republikës do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, duke hapur rrugën për themelimin e institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve.
“Vullneti i qytetarëve, i shprehur me votë brenda vendit dhe nga bashkatdhetarët tanë, ka marrë tashmë formën e tij përfundimtare institucionale. Shpreh mirënjohjen time për institucionet zgjedhore dhe për të gjithë ata që, me profesionalizëm, përgjegjësi dhe përkushtim, kontribuuan në mbarëvajtjen dhe përmbylljen e këtij procesi”- ka shkruar ajo në Facebook më 08.07.2026.
Haxhiu ka shtuar se besimi i dhënë nga qytetarët në zgjedhjet e 7 qershorit është një përgjegjësi e madhe.
“Çdo mandat duhet të ushtrohet me integritet, llogaridhënie dhe përkushtim të palëkundur në shërbim të interesit publik, demokracisë dhe të ardhmes së Republikës sonë”- ka shkruar ajo.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të mbajtura më 07.06.2026.
Nga dje (08.07.2026), deputetët e rinj kanë afat 30 ditë për të konsituuar Kuvendin e Kosovës.
Menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, fillon afati 60 ditor për zgjedhjen e presidentit të vendit.