Në mesin e vitit të kaluar, Autoriteti Kosovarë i Konkurrencës (AKK) kishte marr një nga vendimet më të mëdha gjatë operimit të punës viteve të fundit.
AKK-ja kishte vendosur të dënonte 14 kompani që merreshin me tregtinë e naftës në Kosovë. Dënimi i shqiptuar për manipulim me çmimet e naftës ishte mbi 4 milionë euro, shkruan lajmi.net.
Kryetari i Autoritetit Kosovarë të Konkurrencës, Valon Presteshi tha për lajmi.net se akoma nuk është bërë asnjë pagesë e dënimit të shqiptuar.
Ai tha se naftëtarët nuk janë pajtuar më atë vendim, sado që për AKK-në ka qenë i drejtë dhe i ligjshëm.
“Jo nuk janë bërë pagesat. Të gjitha kompanitë e kanë apeluar vendimin në Gjykatën Themelore”, tha Presteshi.
Lajmi.net ka pyetur në Gjykatën Themelore për të mësuar se në cilën fazë ndodhet kjo lëndë, por gjykata nuk ka dhënë përgjigje.
Përfaqësuesi i naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani thotë se ende nuk ka ndonjë vendim nga gjykata.
“Asgjë risi nuk ka, të gjitha kompanitë janë në gjykatë dhe e rrugës është që gjykata të thotë fjalën saj”, tha për lajmi.net Berjani, i cili është edhe kryetar i shoqatës së naftëtarëve.
Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës, kishte shprehur shqetësimin ndaj Autoritetit të Konkurrencës, për vendimin e marrë ndaj naftëtarëve, sipas të cilit marrëveshja ndërmjet këtyre bizneseve nuk ka ndodhur asnjëherë apo çmim kartel.
“Vendimin e lëshuar nga Autoriteti i Konkurrencës, ne Shoqata e Naftëtarëve e kundërshtojmë fuqishëm. Vendimin masave ndëshkuese administrative ndaj 14 kompanive të derivateve të naftës, duke cilësuar si vendim arbitrar. Shoqata fuqishëm deklaron se nuk ka pasur marrëveshje për çmim të naftës mes këtyre operatorëve të këtij sektori dhe asnjëherë nuk do të ketë”, konsideronte kjo shoqatë.
Edhe përfaqësues nga kompanitë ndaj të cilave janë shqiptuar masat ndëshkuese kanë kundërshtuar dënimin.
Hetimi ndaj kompanive për ngritje të çmimit të derivateve ka nisur në fillim të vitit 2019. Pas përfundimit të hetimeve, komisioni i Autoritetit të Konkurrencës ka marrë vendim që 14 kompani të dënohen me 4 milionë e 40 mijë e 450.78 euro.
“AKK-ja ka marrë vendim përfundimtar për çmimet e derivateve të naftës. Hetimi ka nisur në vitin 2019 ku janë nisur dyshimet se operatorët nuk kishin vepruar si në vitin 2018. Dyshimi është ngritur se mos kemi të bëjmë me sjelljen e konkurrencës ose ndonjë marrëveshje e ndaluar për këtë fushë. Kompanitë që kanë qenë në hetim e kanë çrregulluar konkurrencën në treg, ato kanë kryer shkelje të dispozitave të konkurrencës. Komisioni i autoritetit ka vendosur gjobë prej 4 milionë e 400 mijë për 40 kompanive nën hetim”, thuhej në vendimin e AKK-së.
AKK-ja kishte thënë se kompanitë mund të bëjnë pagesën e gjobës përmes këstit që këto të hyra të arkëtohen në buxhetin e shtetit të Kosovës.
Autoriteti i Konkurrencës kishte urdhëruar ndërmarrjet në procedurë që ta ndalojnë çdo veprim të mëtutjeshëm, i cili ka të bëjë me përcaktimin e çmimeve në mënyrë të bashkërenduar, nëpërmjet të çfarëdo marrëveshje apo bashkëpunimi tjetër joformal (të pa evidentuar), i cili shkon në dëmë të konsumatorëve, si dhe çdo aktivitet biznesor, i cili e çrregullon konkurrencën në tregun përkatës.
Dënimi ishte bërë ndaj kompanive:
“NTP Ibrahimi”, 33 mijë e 640 euro, “Patroni shpk”, 38 mijë e 276 euro, “Veda2 Petrol” 46 mijë e 531 euro, “Abla Petrol” 49 mijë e 293 euro, “Lab Oil” 55 mijë e 175 euro, “Benita Kompani” 58 mijë e 450 euro, “Fat Oil” 101 mijë e 169 euro, “Petrol Oti Sllovenia” 117 mijë e 875 euro, “Petrol Company” 191 mijë 535 euro, “Alfa Trade shpk” 213 mijë e 782 euro, “Ip-kos” 498 mijë 338 euro, “Exfis” 537 mijë e 899 euro, “Al Petrol” 989 mijë e 493 euro, “HIB Petrol” 1 milionë e 108 mijë e 988 euro”.