Komuna e Prizrenit, përmes faqe së saj zyrtare, njofton se , Autostrada Biennale është organizata e parë që ka nënshkruar kontratë me ITP për shfrytëzim të hapësirave të këtij parku, ku kanë aplikuar më shumë se 60 organizata e institucione të ndryshme, ku së shpejti do të ketë nënshkrim edhe të 11 kontrave të tjera.
Në Parkun e Inovacionit dhe të Trajnimeve, Autostrada Biennale do të krijojë hapësirën për edukim dhe prodhim. Në një dimension unik të kohës, kjo hapësirë do t’i vë hapat e para drejt krijimit të Muzeut të parë të Artit Bashkëkohor në Prizren, projekt i cili mbështetet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe bashkëfinancohet nga Komuna e Prizrenit.
Në kuadër të këtij projekti, në një sipërfaqe rreth 550m2, do të krijohet hapësirë për edukim jo-formal dhe programe të krijimit të shkathtësive për fuqizimin e të rinjve të komunës së Prizrenit. Veprat e para të prodhuara në këtë hapësirë do të ekspozohen në hapjen e ekspozitës ndërkombëtare të artit bashkëkohor, me datën 17 korrik 2021, gjatë edicionit të tretë të Autostrada Biennale.






