Në sezonin debutues, Muriqi ka bërë 34 paraqitje me Lazion, ka realizuar vetëm një gol. Ai ka dhuruar edhe një asist. Sulmuesi i Kosovës premton më shumë në të ardhmen
Vedat Muriqi tregon “dhëmbët” ende pa nisur sezoni.
Sulmuesi shqiptar i Lazios, i cili nuk la gjurmë në sezonin e tij të parë në Serie A, ka hedhur poshtë zërat për një largim të mundshëm nga skuadra e kryeqytetit italian.
Ai ka premtuar se në sezonin e dytë, do të zbresë si një tjetër lojtar, do të tregojë fytyrën e vërtetë.
Në intervistën për “Lazio Style Channel”, Muriqi foli edhe për trajnerin e ri, Maurizio Sarri si dhe shqiptarët që ka në ekip, Hysaj dhe Strakosha, me të cilët ka luajtur në të kaluarën.
“Shpresoj të jem në gjendje të tregoj Muriqin e vërtetë në këtë kampionat. Kisha dy sezone rresht që nuk zhvilloja fazë përgatitore, vitin e kaluar u infektova edhe me Koronavirus. Po punojmë mirë, gjithmonë do të ndihem më mirë dhe do të jem i gatshëm për Lazion”, u shpreh ai.
“Trajneri flet me të gjithë, ne nuk kemi pasur biseda private, nuk mendoj se do të jetë e nevojshme, por në çdo rast do të jem i lumtur që mund të flas me të në privatësi. Ai është një person i sinqertë.”
“Kam luajtur me Hysajn dhe Strakoshen kur ishim të gjithë te U-21 e Shqipërisë. Hysaj është një lojtar i shkëlqyeshëm, e njeh futbollin e Sarrit, është një anësor i shkëlqyeshëm”.
“Skema? Do të vendoset nga trajneri, do të na duhet pak kohë për t’u përshtatur me lojën e re, por ne kemi një nga trajnerët më të mirë në botë”.