Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se çka është shkatërruar për 20 vjet “mund të rregullohet për një mandat”, duke i reaguar deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku që foli për qeverisjen Kurti.
Murati ka thënë të hënën para deputetëve gjatë kësaj qeverisjeje ka pasur rritje dyshifrore të të hyrave buxhetore, e sipas tij, në të kaluarën ka pasur rritje vetëm dy herë.
“Nëse e shikojmë dekadën kur ju keni qeverisur, janë vetëm dy vjet kur ka pasur rritje të të hyrave buxhetore. Të vetmet raste kur ju keni pas rritje dyshifrore të të hyrave buxhetore janë kur i keni rritur taksat në barrë të qytetarëve”, është shprehur Murati.
Ministri ka shtuar se ka pasur dyfishim të eksportit gjatë këtij mandati.
“Vetëm një ish-kryeministër që nuk ka bërë asgjë mund të thotë se ndikimi është zero i shtesave për fëmijët. Nuk ndaj mendimin me ju që ndikimi i këtyre masave është zero. Pyetni ato gra për ndikimin. A e shohim sa investime kapitale keni bo ju nëse e përjashtoni autostradën… asnjë vit për mbi 200 milionë euro s’ka kaluar…Sa i përket rritjes ekonomike, më lejoni të them që përkundër sfidave globale, ekonomia asnjëherë nuk ka ra nën 4 për qind rritje. Për juve 4 për qind ka qenë mesatarja në kushte normale. Rritja 3-4 për qind që e keni pas ju është për shkak të deficitit”, ka shtuar Murati.
Ai ka theksuar se rritja ekonomike vjen si rezultat i investimeve.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se ministri Murati po e shet inflacionin si luftë ndaj kontrabandës. Sipas saj, Qeveria ka dështuar të bëjë zhvillim ekonomik.
“Keni dështuar. Nuk mund të shitni propagandë. Për secilin argument që e jepni, mund të rri në foltore të demantojë me referenca”, ka shtuar ajo.
Ndërsa, deputeti i kësaj partie, Arben Gashi, u shpreh se çmimi i miellit është rritur.
“Më bëri përshtypje që tha ministri se çmimi i grurit në bursë është si i para pandemisë. Ministër qytetarët grurin e miellit nuk e blejnë në bursë po në market. Është kundërkushtetuese… është kundër parimeve se si është ndërtuar ekonomia e Kosovës. Të ka kallëzuar Gjykata Kushtetuese. Veç duhet me lexu. Ndërhyrja në çmime veç kur ke gjendje të jashtëzakonshme. Por jo me vendime qeveritare me të kallëzu se sa me shit”, ka thënë ai.
Më pas ministri Murati ka reaguar duke thënë se ligji për çmimet tavan nuk ka asgjë kundërkushtetuese.
Ndërkohë, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se ky buxhet e injoron krizën energjetike.
“Kjo Qeveri po vazhdon të luajë me qëndrueshmërinë energjetike. Ne mund të shohim se do përshkallëzohet furnizimi me energji në vend. Ky buxhet na lë me projekte të papërfunduara. Jemi dëshmitarë të rritjes së shpenzimeve të panevojshme për zyrtarët qeveritarë”, ka shtuar ai.
Lekaj ka shtuar se Qeveria e Kurti “e ka humbur busullën”, derisa pyeti ministrin Murati për ndërtimin e çerdheve dhe shtëpive të të moshuarve.
“A keni bo hajgare a? Kjo Qeveri e ka humbur busullën dhe është Qeveri që i ka mashtruar në vite qytetarët. Prandaj qytetarët me të drejt thonë që e kemi humbur shpresën në Kosovë dhe ia mësynë perëndimit”.