Ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se parashikimet e ministrisë që drejton janë se rritja ekonomike do të jetë mbi nivelin e para pandemisë, e madje edhe më e larta në rajon, e si rezultat i kësaj në vitin 2024, parashihet që GDP-ja apo bruto prodhimi vendor të tejkalojë edhe shifrën prej 10 miliardë euro.
Ministri Murati në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë, tha se është miratuar korniza afat mesme e shpenzimeve për tri vitet në vijim, për periudhën 2023/25, për të cilën tha se është një prej dokumenteve më të rëndësishme.
Sipas tij, kjo kornizë afat mesme e shpenzimeve parasheh se si do të zhvillohen buxhetet për tri vitet e ardhshme, si do të jetë shpenzimi i parasë publike, si dhe do të jenë prioritetet.
Ai shtoi se presin që të vazhdojë trendi i rritjes ekonomike dhe i të hyrave buxhetore, për shkak se si rezultat i rritjes së aktivitetit ekonomik, po e shohin vazhdimin e trendit të rritjes së të hyrave.
“Edhe në tremujorin e parë kemi rritje të të hyrave prej 20 përqind, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak, dhe kësisoj parashikimet tona, të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, parashohin që ky trend të vazhdojë. Rritja ekonomike reale të jetë mbi nivelin e para pandemisë, e madje edhe më e larta në rajon dhe si rezultat i kësaj në vitin 2024 parashihet që GDP-ja nominale apo bruto prodhimi vendor nominal të tejkalojë edhe shifrën prej 10 miliardë euro. Kurse në anën tjetër edhe te aspekti buxhetor parashihet një tempo më e shtuar e rritjes së të hyrave buxhetore, e si rezultat i kësaj pastaj edhe stabilizimi i deficitit, pra rikthim i deficitit në nivelin e tavanit prej dy përqind që është sipas rregullës fiskale dhe në anën tjetër rritje e investimeve apo shpenzimeve në kategoritë të cilat janë prioritet i Qeverisë”, tha ai.