Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2023 fjala ‘korrupsion’ përmendet 12 herë, ndërsa në vitin 2019 është përmendur 24 herë.
Teksa po diskutohet në Kuvend për këtë raport, Murati ka thënë se edhe raportuesi i DASH-it ka rënë pre e dezinformatave të mediave dhe OJQ-ve.
“Tema që është thirrur sot është diskutimi për raportin e DASH-it. Nëse do të duhej t’i qaseshim kësaj çështjeje në mënyrë kuantitative dhe objektive, mund ta shohim sa herë është përmendur më 2023 fjala ‘korrupsion’. Një kërkim i thjeshtë tregon që është përmendur 12 herë. Më 2019 është përmendur 24 herë. Nëse hymë edhe në cilësi pastaj e i analizojmë fjalitë e shohim që në disa raste edhe raportuesi ka rënë pre e dezinformatave të mediave e OJQ-ve që maskohen si të tilla… deputetja Deliu-Kodra tha se pesë ministra janë nën hetime për korrupsion. Në mesin e tyre është përmendur edhe emri im. Asnjëherë nuk kam qenë i hetuar për korrupsion, hetimet ndaj meje kanë qenë për një kallëzim penal të dorëzuar nga PDK-ja. Pas një viti hetimesh është mbyllur dosja dhe ka thënë se nuk ka asnjë dyshim për shkelje të ligjit. Është ndaluar hajnia, tash kemi shtesa për fëmijë. Është ndalur hajnia, tash kemi shtesa për lehona. Është ndalur hajnia, është rritur buxheti për ushtri. Është ndalur hajnia, ka pasur bursa për gra. Është krijuar Super Puna e shumë e shumë masa të tjera. U përmend komentimi ndaj punëve të gjyqësorit e prokurorisë. Patjetër që duhet t’i komentojmë. Sepse nëse kemi rast që dërgojmë rast me mbi 40 milionë euro e Prokuroria e mbyll rastin se është ndal keqpërdorimi nga ministria, thonë s’ka vepër penale. Këtë 12-herëshin e fjalës korrupsion do ta vendosim në zero”, ka thënë Murati.
Por shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se ministri Murati po mundohet ta minimizojë raportin e DASH-it.
“Ministri sapo e bëri ata që e ka bërë vazhdimisht Qeveria, ta sulmojë Prokurorinë e gjyqësinë. Mundohet me minimizu raportin e DASH-it. Tash deri në atë pikë ku e quan të pasaktë. Ky del e mbron një ministre qe na ka vjedhur edhe në grurë edhe në vaj. Pesë ministra të kësaj qeverie janë nën hetim ky është lajm ndërkombëtar. Këtu java javën nuk ta nxen nga aferat. Mimoze jeni mazhoranca e parë që keni nisur me mbylljen e televizioneve”, ka thënë Tahiri.