Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se niveli i depozitave të qytetarëve nëpër banka është rikthyer në normalitet me zbatimin e pakos mbështetëse të Qeverisë në vlerë prej 100 milionë eurosh.
Ai më tej ka thënë se pulsi ekonomik matet edhe me nivelin e depozitave të qytetarëve në sistemin bankar, raporton Zeri.info.
“…në fillim të vitit kishte një rënie të theksuar të nivelit të depozitave si rezultat i luftës që nisi në Ukrainë. Për shkak të rritjes së çmimeve e rrezikut të mbylljes së kufijve, qytetarët e bizneset nxituan të furnizoheshin me mallra, gjë që shkaktoi një rënie të nivelit të likuiditetit në ekonomi. Mirëpo trendi kthehet në pozitiv në muajin prill, kur nis zbatimi i pakos mbështetëse për qytetarët në vlerë prej 100 milionë eurove, ku përfituan familjet në asistencë sociale, punëtorët e sektorit publik e privat, pensionistët e studentët”, shkroi kryefinancieri i Qeverisë.
Ministri më tej tha se një gjë tjetër interesante që vërehet është edhe “kontributi i jashtëzakonshëm i mërgatës sonë në muajin korrik”, atëherë kur edhe fillon ardhja masive e tyre në vendlindje, ku depozitat bankare shënojnë nivel rekord.
“Në fund të muajit korrik niveli i depozitave në valutën euro ishte 4.88 miliardë euro”, përfundoi ministri i MFPT-së, Hekuran Murati. /Zëri