Pasi që Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituhet edhe në përpjekjen e nëntë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, propozoi që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të bëhet me votim të fshehtë. Partitë opozitare e quajtën arbitrare dhe të papranueshme një formë të tilë.
Ndërsa, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati duke iu referuar aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, në një postim në Facebook ka shkruar se në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit parashihet edhe votimi i fshehtë.
“Në Aktgjykimin e vitit 2014 për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, vetë Gjykata Kushtetuese në paragrafin 124. ka sqaruar që ndër mënyrat e pranueshme për votim, janë vota e hapur, vota e fshehtë, apo çfarëdo mënyre tjetër. Edhe më interesant është paragrafi 125. ku thuhet: ‘Gjykata konsideron se mënyrat e ndryshme të votimit (hapur, fshehtë, etj) kanë për qëllim të sigurojnë SHPREHJEN DEMOKRATIKE DHE TË PAVARUR TË VULLNETIT TË DEPUTETËVE dhe të sigurojnë të drejtat e deputetëve në mënyrë që ata t’u përmbahen obligimeve të tyre’”, ka shkruar Murati.
Sipas tij, janë partitë opozitare ato që po e bllokojnë konstituimin e Kuvendit.
“Por edhe kësaj radhe, u pa përfundimisht se kush po e bllokon konstituimin e Kuvendit. U pa edhe që partitë opozitare nuk u besojnë deputetëve të tyre, meqë shfaqën hezitim të merrnin pjesë në një proces ku vullneti i lirë i deputetëve do të mund të ushtrohej pa presion”, shkruan tutje Murati.