Në çdo gjysmë ore vitin e kaluar është shkaktuar një aksident komunikacioni. Kjo e dhënë ka dalë duke u bazuar në raportet dhe statistikat e Policisë së Kosovës, ku si pasojë në vitin 2023 mbetën të vdekur 100 persona, e mijëra të tjerë pësuan lëndime.
Numri i aksidenteve të komunikacionit ka tendencë të rritjes edhe në 2024. Vetëm në dy muajt e parë të vitit 2024 ndodhën nëntë aksidente fatale me nëntë të vdekur, raporton Kiks Kosova.
Sipas Policisë së Kosovës, gjatë dymujorit të parë të këtij viti kanë ndodhur 3127 aksidente me 1068 persona të lënduar dhe janë shqiptuar 117,905 tiketa.
Shkaktarët e aksidenteve janë nga më të ndryshmet, që nga pakujdesia e vozitësve e deri te kushtet jo të përshtatshme të rrugëve.
Shumica e rrugëve regjionale dhe autostradat në Kosovë kanë mungesa të kushteve elementare, që për pasojë po ndikon në rritjen e aksidenteve të komunikacionit.
Më saktësisht problemet që ato kanë dhe të cilat i kanë detektuar qytetarët janë mungesa e ndriçimit, sinjalizimit dhe pushimoreve, në gjithë rrjetin rrugor të Kosovës.
Ndriçimi i këtyre traseve të transportit të njerëzve, por dhe mallrave, në Kosovë është i mangët sidomos në autoudhë, ku shpejtësia zhvillohet deri më 130 kilometra në orë.
Ndriçimi është i domosdoshëm sidomos në hyrje-daljet, por as në pjesën më të madhe të tyre nuk ka.
Një errësirë e tillë është evidentuar nga Kiksi, në rrugën regjionale që lidh Dukagjinin me autostradën “Ibrahim Rugova”.
Një fakt i tillë i padukshmërisë së rrugës dhe rrezikshmërisë po ashtu është edhe në qasjen e kryeqytetit në autostradën për Shkup.