Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj pas pranimit të ankesave nga qytetarët ka reaguar lidhur me mungesën e furnizimit të rregullt me energji elektrike.
“Mungesa e energjisë elektrike në Komunën e Suharekës, duhet të evitohet dhe duhet të ketë një zgjidhje për qytetarët për furnizim të rregullt”, ka bërë të ditur Muharremaj.
Ai ka theksuar se e mirëkupton shqetësimin e qytetarëve dhe se ka pranuar telefonata e kërkesa të shumta lidhur me mungesën e energjisë elektrike në territorin e kësaj komune.
“Megjithëse kjo nuk është në kompetencën tonë komunale, unë i kam kontaktuar zyrtarët e KEDS-it dhe më është thënë, se kjo po vjen si rezultat i mbingarkesës. Unë sërish i bëj thirrje institucioneve kompetente, që të kemi një zgjidhje sa më të shpejtë”, përfundon reagimi.
Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) javë më parë pat njoftuar se me ftohjen e motit, konsumi i energjisë elektrike është rritur. Në të njëjtën kohë pat bërë thirrje për kursim të energjisë si dhe në kuadër të mundësive për shfrytëzim të burimeve alternative për ngrohje.