LAJME

Muaji i shenjtë i Ramazanit, besimtarët myslimanë nisin nesër agjërimin

Muaji i shenjtë i Ramazanit, besimtarët myslimanë nisin nesër agjërimin
TV Prizreni
TV Prizreni
10 Mars 2024, 22:03

Rreth një e katërta e popullsisë së botës do të nisin një ditë ndryshe më 11 mars, pasi lindja e diellit do ti gjejë duke agjëruar.

Besimtarët myslimanë do të nisin muajin e Ramazanit, muaji më i shenjtë i kalendarit islamik, i konsideruar si periudha ku trupi dhe shpirti pastrohet. Muaji i nëntë i kalendarit hënor Islam, zgjat nga 29 ose 30 ditë dhe gjatë tij besimtarët nuk do të konsumojnë ushqime, pije, si dhe shmangin çdo sjellje negative të njeriut nga lindja e diellit deri në perëndim.

Për Ramazan, besimtarët kërkojnë falje për mëkatet, luten për ndihmë ndaj të këqijave dhe përpiqen të pastrohen nëpërmjet vetëpërmbajtjes dhe veprave të mira. Përveç pastrimit të shpirtit, agjërimi mbahet për t’u solidarizuar me të varfrit, për të ndarë ushqimin me to.

Por muaji i Ramazanit nuk ndryshon vetëm rutinën e personave që agjërojnë, por edhe shumë të tjerëve, të kësaj feje ose jo. Shumë njerëz solidarizohen me sakrificën që myslimanët bëjnë, duke qenë më të kujdesshëm në veprimet e tyre kundrejt agjëruesve.

Nëse gjatë këtij muaji përjetojmë mungesën e ushqimit dhe ujit, le të mos harrojmë ata që vuajnë çdo ditë nga uria dhe mungesa e resurseve. Muaji i Ramazanit na bën të ndjehemi të privilegjuar dhe na inkurajon të kujdesemi për ata që kanë nevojë.

Përtej kufijve të gjuhëve dhe kulturave, Ramazani është një kohë që bashkon njerëzit në një frymë solidariteti dhe dashurie. Nëpërmjet agjërimit, lutjeve dhe veprimeve të mira, ne shprehim përkushtimin tonë ndaj vlerave të përjetshme të dashurisë, durimit dhe mirësisë.

Le të përqafojmë këtë muaj të bekuar me zemër të hapur dhe shpirt të qetë, duke përjetuar shpirtërisht dhe fizikisht këtë udhëtim të shenjtë. Le të përjetojmë bashkësinë dhe dashurinë e njëri-tjetrit, duke ndarë gëzimin dhe befasitë e këtij muaji të mrekullueshëm të Ramazanit.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika